Konsultimet me sektorin jo-fitimprurës lidhen me nevojat për rregullime në kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e tij
Nga Andi Dobrushi
Ka afro një dekadë që kuadri ligjor për sektorin jo-fitimprurës zhvillohet duke iu nënshtruar ndryshimeve dhe amendimeve të shpeshta, përfshi këtu edhe regjimin fiskal.
Ndryshimet e bëra gjatë dy viteve të fundit dhe paqartësia në zbatimin e tyre (për shembull çështja e debatueshme e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar -TVSH), vlerësohen si zhvillime që cënojnë rolin dhe qëndrueshmërinë e sektorit, si dhe aktivitetin e tij normal në marrëdhënie me shtetin.
Në vitin 2008 nisi një përpjekje e organizuar e sektorit për të adresuar çështjen e TVSH-së mbi grantet duke përfshirë në procesin konsultues, nëpërmjet një grupi përfaqësues të sektorit jo-fitimprurës, Kryeministrin e vendit dhe agjencitë donatore. Si rezultat i kësaj përpjekje u arrit që çështja e TVSH-së mbi grantet të adresohej pjesërisht dhe ajo të bëhej pjesë e një diskutimi më të madh përsa i përket vendit dhe nivelit që duhet të zërë në veprimtarinë e sektorit.
Në vazhdimësi të këtyre përpjekjeve, me mbështetjen e plotë të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros), gjatë muajit korrik 2010 u realizua një takim i dytë midis Kryeministrit të vendit, Drejtorit të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe përfaqësuesve të sektorit ku u ra dakord për krijimin e një grupi të përbashkët pune.
Për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë të sektorit jo-fitimprurës në këtë proces, Partnerët Shqipëri në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë po ndërmarrin një seri konsultimesh me sektorin në nivel vendi.
Qëllimi është tërheqja e problemeve të sektorit lidhur me situatën aktuale të kuadrit ligjor dhe fushat e ndërhyrjes. Mendimet dhe shqetësimet e mbledhura do t’i përcillen grupit të punës për t’u patur parasysh gjatë punës për hartimin e propozimeve ligjore.
Si pjesë e parë e këtij procesi konsultues do të organizohen gjatë javëve në vijim gjashtë workshope rajonale në qytetet e Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës. Partnerët Shqipëri do të informojë sipas rastit sektorin për datat e takimeve rajonale.
Ky proces konsultues me sektorin do të jetë një proces i hapur dhe që do të shoqërojë të gjitha momentet e hartimit të propozimeve ligjore.
Për të gjithë ato organizata të cilat për arsye të ndryshme nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në workshopet e para konsultuese, do të ishin të mirëpritura të kontaktonin Partnerët Shqipëri për të parashtruar shqetësimet e tyre lidhur me kuadrin ligjor në fuqi, me theks në atë fiskal.
* Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë