Tiranë, 15 Nëntor 2010 NOA/ Eglantina Nasi - Partia Demokratike tha sot se Edi Rama nuk e pati as të dytën e as të tretën, martesën e bujshme që bëri para pak javësh me Linda Xhillarin (Basha), por jo më pak se të pestën.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike, shfrytëzoi rastin të kritikojë qëndrimin e Ramës dhe ngulmoi që ai të kërkojë falje publike për akuzat e shprehura.
“PD shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj, pasi kryetari i PS-së, Edvin Rama duket se po feston muajin e mjaltit me shpifje dhe trillime të ulëta dhe amorale të përditshme, të publikuara në mediat pranë tij, për fëmijët dhe familjarët e Kryetarit të PD-së dhe Kryeministrit të vendit”.
Këtu PD i referohet lajmit të publikuar këto ditë se truproja i një personi VIP kishte plagosur me armë një kamerier te një lokal në dalje të Tiranës. Në fakt, Garda e Republikës pranoi se ai ishte efektiv i saj, por mohoi të ishte truproje i djalit të kryeministrit.
“Ju kujtojmë se disa javë më parë nga hotelet luksoze të Parisit, sulmoi pafytyrësisht djalin e Z. Berisha, pasi sipas tij kishte fituar 3 tendera, të cilat në të vërtetë ishin fituar ndershmërisht nga biznesmeni Shkëlzen Abdullah Berisha”, - thuhet në deklaratën e PD.
Kurse vijohet: “Ende pa kërkuar falje, dje shpifi në mediat e tij se një gardist i familjes së Kryeministrit kishte qëlluar me armë në lokal, ndërkohë që gardisti nuk ishte pjesëtar i ekipit që ruan Kryeministrin në zyrë apo në shtëpi”.
Në vijim, PD kritikon dhe përfoljet në disa media sipas të cilave po përgatitet divorci i vajzës së kryeministrit: “Po dje Rama tentoi të ngrinte thashethemnajën për vajzën dhe dhëndrin e Kryeministrit, prindër të katër fëmijëve të moshës 4-muajshe deri në 13 vjeç”.
Në këtë pikë, PD vlerëson se “me sulme të tilla amorale z. Rama, Mr 20 % mendon se mund të largojë sadopak vëmendjen nga përqindjet dhe të lajë me trillime, historitë e tij çnjerëzore dhe domethënëse me serinë e grave që ka patur”.
Menjëherë më pas vijnë dhe akuzat e nxehta:
“Shqiptarët e dinë dhe e kanë të faktuar, se Z. Rama të parën e flaku me akuza monstruoze në spitalin psikiatrik.
Të dytën e shëtiti në plazhet nudo të botës, të tretën e largoi të lemeritur si person i padëshirueshëm nga Shqipëria, të katërtën e trajtonte shtazërisht në ambiente publike.
Ndërsa me të pestën që mesa duket mund ta shijojë vetëm duke shpifur dhe trilluar për fëmijët dhe familjarët e kundërshtarëve politikë, i urojmë të mos ketë fatin e grave të tjera”.
Kurse në përfundim, PD i bën një kujtesë z.Rama: “Tre ditë më parë nën siglën e “ndryshimit tuaj”, Z. Rama ju konfiduat përpara deputetëve socialistë se ju kanë baltosur e dhunuar jetën private. Si guxoni ta deklaroni këtë kur ju arrini të përdhosni jo vetëm ndershmërinë, por edhe tërësinë e familjeve shqiptare”.
Dhe në mbyllje, përsëritet thirrja: “Partia Demokratike, Z. Rama, vijon të kërkojë që ju i detyroheni këtyre njerëzve e qytetarëve të ndershëm, falje publike”.
e.r/NOA