Tiranë, 15 nëntor, NOA – “Kryetari i Partisë Socialiste Edvin Rama po feston muajin e mjaltit me shpifje dhe trillime të ulëta dhe amorale të përditshme, të publikuara në mediat pranë tij, për fëmijët dhe familjarët e kryetarit të PD-së dhe kryeministrit të vendit”.
Ky është shqetësimi që ka ngritur sot Partia Demokratike.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, theksoi se “Ju kujtojmë se disa javë më parë nga hotelet luksoze të Parisit, sulmoi pafytyrësisht djalin e z.Berisha, pasi sipas tij kishte fituar 3 tendera, të cilat në të vërtetë ishin fituar ndershmërisht nga biznesmeni Shkëlzen Abdullah Berisha. Ende pa kërkuar falje, dje shpifi në mediat e tij se një gardist i familjes së Kryeministrit kishte qëlluar me armë në lokal, ndërkohë që gardisti nuk ishte pjesëtar i ekipit që ruan Kryeministrin në zyrë apo në shtëpi”, tha zëdhënësja e PD-së.
Ajo rikujtoi se si shefi i opozitës Edi Rama ngriti thashethemnajë për vajzën dhe dhëndrin e kryeminstrit, prindër të katër fëmijëve të moshës 4-muajshe deri në 13 vjeç.
“Me sulme të tilla amorale Zoti Rama, Mr 20 % mendon se mund të largojë sadopak vëmendjen nga përqindjet dhe të lajë me trillime, historitë e tij çnjerëzore dhe domethënëse me serinë e grave që ka patur”, tha zëdhënësja e PD-së.
PD i ka bërë ndërkaq një ekspoze jetës personale të kryesocialistit Rama, ku sipas tij, shqiptarët e dinë dhe e kanë të faktuar, se Rama të parën e flaku me akuza monstruoze në spitalin psikiatrik.
“Të dytën e shëtiti në plazhet nudo të botës, të tretën e largoi të lemeritur si person i padëshirueshëm nga Shqipëria, të katërtën e trajtonte shtazërisht në ambjente publike.
Ndërsa me të pestën që mesa duket mund ta shijojë vetëm duke shpifur dhe trilluar për fëmijët dhe familjarët e kundërshtarëve politikë, i urojmë të mos ketë fatin e grave të tjera”, përfundoi deklarata e PD-së.
n.e/NOA