Lezhë, 15 Nëntor, NOA - Mbrëmjen duke u gdhirë dita e djeshme, në një rrugë rurale në afërsi të shkollës 9-vjeçare në fshatin Kolsh të Lezhës, janë dëgjuar të shtëna armësh.
Shërbimet e policisë që kanë vajtur në vendngjarje kanë konstatuar një automjet veture tip Benz me targa K743XEL të braktisur, ku në pjesën e pasme të bagazhit dhe në parafrangën e krahut të shoferit kishte dëmtime të shkaktuara nga predhat e armëve të zjarrit.
Nga veprimet e para rezulton se personi i dëmtuar ka qene duke udhëtuar në fshatin Patalej të Lezhës, me automjetin e lartpërmëndur ku në të kanë qenë dhe disa shtetas të tjerë, (të cilët nuk bëhen të ditur për arsye hetimi), kur persona te paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri duke plagosur Gjovalin Dedën.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia e Lezhës raporton se u bë ndalimi i 48-vjeçarit Bardhyl Lleshi, me banim në fshatin Fang të Mirditës, për konsumim të .
veprës penale “Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Ndërsa gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja, 1 fishek mod.56, automjeti tip Benz me targa K743XEL si dhe 1 motor i markës “Yamaha” pa targa.
Materialet i kalojnë prokurorisë së Lezhës për veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”, ”Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municionit” dhe “Moskallëzim të krimit”, parashikuar nga nenet 88-25, 278/2 dhe 300 të Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.
n.e/NOA