English

PS, Shalsi: Megafarma e Vasilit ka fituar këtë vit plot 9 milion euro

Tiranë, 15 nëntor, NOA – Në vijim të akuzave ndaj ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për korrupsion e për përfitime tenderash, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi deklaroi sot se “Në vitin 2009 kompania MEGAPHARMA, e cila për hir të së vërtetës operon prej vitesh në tregun e ilaçeve, ka fituar një numër tenderash, shuma e të cilave arrin në shifrën prej 1 000 000 euro”.

Kjo deklaratë erdhi pas pyetjes që socialistët i kishin drejtuar ministrit Vasili dje, nëse ai kishte dijeni për kompaninë MEGAPHARMA, një pyetje që sikundër dihet mbeti pa përgjigjen e ministrit.

Sipas deputetit Shalsi ajo që e komplikon pozicionin e Ministrit të Shëndetësisë është se po kjo kompani përgjatë vitit 2010 dhe vetëm deri në korrik, ka fituar tendera jo me në shifra të ngjashme por, 9 000 000 euro.

“Pra nga 1 000 000 euro në vitin 2009 në 9 000 000 euro në vitin 2010. E pabesueshme, por e vërtetë. Kjo është arsyeja se pse shqiptarët nuk mund të përballojnë çmimet e larta të ilaçeve”, theksoi në konferencën për shtyp deputeti socialist.

Shalsi akuzoi sakaq ministrin Vasili se kompania MEGAPHARMA është ajo që po përgatit listën e barnave spitalore, që duhej ta përgatiste ministria e Shëndetësisë, dhe që për këtë vit lista u vonua me muaj të tërë.

Ai i kërkoi ministrit shpjegime për zëvendësimin e përgjegjësit të shërbimit farmaceutik të QSUT-së, pikërisht përpara se të niste hartimi i listës së barnave spitalore.

Deputeti Eduard Shalsi bëri me dije se askush nuk mund të presë ulje të çmimin të ilaçeve pasi mëson këto afera korruptive që mbajnë vulën e ministrit të Shëndetësisë, andaj i bëri thirrje ministrit Vasili të përgjigjet për akuzat e bëra dhe të informojë pacientët, mjekët, infermierët për gjithçka vendoset në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nëpër spitalet e vendit.

mit/NOA
KOMENTE