English

Rama: Gati toka dhe plani për ndërtimin e xhamisë së re në qendër të Tiranës

Tiranë, 15 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Në vigjilje të festimit të Kurban Bajramit nga besimtarët muslimanë shqiptarë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama duke i uruar bësimtarëve këtë festë islame të sakrificës dhe të mirësisë, u deklaroi atyre se bashkia ka gati planin për ndërtimin e xhamisë së re në qendër të Tiranës, si edhe të një muzeu të bashkëjetesës ndërfetare.

Kryebashkiaku Rama tha se është pikërisht mungesa e një xhamie të re aq e nevojshme për besimtarët muslimanë, këndi i munguar i trekëndëshit të kulteve fetare në kryeqytet.

Kj për shkak se si komuniteti i krishterë katolik edhe ai ortodokss në Tiranë kanë një kishë të re në qendër të kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës, - tha Rama, - ka gati sipërfaqen e tokës ku do të ndërtohet xhamia sipas të gjitha rregullave dhe në përputhje me planin urbanistik.

Rama nënvizoi se ngritja e xhamisë së re është mjaft e rëndësishme ashtu sikundër është edhe ruajtja e bashkëjetesës mes feve, një unikalitet ndërfetar, që kryebashkiaku Rama theksoi se “na takon ta mbrojmë me ide të reja”.

“Për xhaminë e re kemi gati sipërfaqen në qendër të Tiranës, dhe të gjithë asistencën teknike për të organizuar konkursin ndërkombëtar për projektin më të mirë për ndërtimin e saj”, tha Rama.

Ai vijoi më teje duke thënë se “Pas një pune serioze nga ana e specialistëve të Bashkisë, ky institucion i kryeqytetit është i gatshëm t’i përgjigjet komunitetit të qytetarëve edhe për një muze të Bashkëjetesës fetare në Tiranë.

Duke i uruar një festë sa më të begatë të Kurban Bajramit dhe lindjen e xhamisë së re në qendër të Tiranës, kryebashkiaku Rama tha se për të gjitha risitë që lidhen me ndërtimin e xhamisë bashkia do të jetë në kontakt dhe do të bisedojë me detaje me krerët e komunitetit mysliman.

Një xhami e re në qendër të kryeqytetit kërkohet prej kohësh nga komuniteti mysliman, pasi sipas tyre është e padenjë falja e besimtarëve në rrugë në pamundësi të një xhamie të re, për besimtarët e kryeqytetit.

mit/NOA

KOMENTE