English

Rritet numri i shqiptarëve që studiojnë ne universitetet e SHBA-ve

Tiranë, 15 nëntor, NOA - Këtë vit është rritur me 4 përqind numri i shqiptarëve që studiojnë në universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke evidentuar se SHBA-të mbeten destinacioni më i preferuar për studentët shqiptarë.

Lajmin e bën të ditur raporti vjetor “Open Doors 2010” (Dyert e Hapura 2010), një raport mbi lëvizshmërinë akademike ndërkombëtare botuar nga Instituti Ndërkombëtar i Arsimit (INA) me mbështetjen e Byrosë së Arsimit dhe Çështjeve Kulturore e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Gjatë këtij viti akademik 2009-2010, mësohet në universitetet e SHBA-ve janë rregjistruar 790 studentë shqiptarë, duke shënuar kështu një rritje prej 4% nga viti i mëparshëm.

Kjo shifër sipas raportit përfaqëson vitin e dytë radhazi të rritjes së numrit të studentëve shqiptarë që studiojnë në SHBA.

Raporti i këtij viti i “Open Doors” tregon se numri total i studentëve ndërkombëtarë në kolegjet dhe universitetet në Shtetet e Bashkuara u rrit me 3%, duke arritur shifrën 690.923 gjatë vitit akademik 2009/2010.

Kjo shifër përbën numër rekord për komunitetin e studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara.

Rritja e këtij viti pati shtysë kryesisht nga një rritje prej 30% në numrin e studentëve kinezë të regjistruar në Shtetet e Bashkuara, duke arritur një total afërsisht 128.000 studentë, ose më shumë se 18% e të gjithë numrit të studentëve ndërkombëtarë, gjë që e bën Kinën vendin kryesues në dërgimin e studentëve.

Numri i studentëve nga India pati një rritje prej 2%, duke arritur një total prej afërsisht 105.000. Studentët indianë përfaqësojnë 15% të të gjithë studentëve ndërkombëtarë në arsimin e lartë në SHBA.

“Open Doors 2010” raporton regjistrimet për vitin 2009/2010, ndikuar nga vendime të marra në një periudhë rënieje ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende anekënd botës.

Të dhënat shfaqin një panoramë të ndërlikuar të regjistrimeve të studentëve ndërkombëtarë në kolegje dhe universitete në SHBA; format e regjistrimit variojnë gjerësisht në varësi të vendit të origjinës dhe nivelit akademik.

Sipas këtij raporti evidentohet se më shumë se gjysma e 25 vendeve, që kryesojnë listën e dërgimeve kanë treguar rënie, gjë që rezultoi në një shkallë më të ngadaltë të rritjes së përgjithshme në krahasim më ç’është parë në vitet e fundit.

Secili prej pesë vendeve pritëse në Shtetet e Bashkuara: Kalifornia, Nju Jorku, Teksasi, Masaçusetsi dhe Ilinoisi kanë parë rritje në numrin e studentëve ndërkombëtarë, që kanë pritur.

Drejtoresha Rajonale e Edukimit, Amy McGoldrick theksoi se “Shtetet e Bashkuara mbeten destinacioni i preferuar për studentët shqiptarë, për shkak të cilësisë dhe prestigjit që shoqërojnë një diplomë amerikane. Një faktor tjetër që kontribuon në këtë tërheqje është shtimi i aktivitetit të kolegjeve dhe universiteteve amerikane për të tërhequr studentë nga Shqipëria”, tha zonja McGoldrick.

Ndërsa, Allan E. Goodman, President dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Arsimit me seli në Nju Jork, nëvizoi se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të presin më shumë studentë ndërkombëtarë sesa çdo vend tjetër në botë”.

Open Doors raporton gjithashtu se 8 studentë amerikanë studiuan në Shqipëri gjatë vitit akademik 2008/2009.

Raporti Open Doors botohet nga Instituti Ndërkombëtar i Arsimit (INA), organizata kryesore jo-fitimprurëse e shkëmbimit kulturor e arsimor në Shtetet e Bashkuara.

INA ka kryer një anketë statistikore vjetore për numrin e studentëve ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1919, dhe me mbështjetjen e Byrosë së Arsimit e Çështjeve Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së që nga fillimi i viteve 1970. Ky sondazh bazohet në një anketim përafërsisht të 3000 institucioneve amerikane të akredituara.

Open Doors raporton gjithashtu mbi anketa të studiuesve ndërkombëtarë në universitete amerikane; studentë ndërkombëtarë regjistruar në Programe intensive para-akademike për Mësimin e Gjuhës Angleze; si edhe mbi numrin e studentëve amerikanë që studiojnë jashtë shtetit (që nga viti 1985).

Byroja e Arsimit dhe Çështjeve Kulturore e Departamentit të Shtetit të SHBA drejton një gamë të gjerë shkëmbimesh kulturore, profesionale e akademike që përfshijnë përafërsisht 40.000 pjesëmarrës në vit, me qëllim rritjen e mirëkuptimit e respektit reciprok midis popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popujve të vendeve të tjera.

Mes të tjerash këto përfshijnë Bursat Fullbrajt, Bursat Gilman dhe Programin e Lidershipit për Vizitorë Ndërkombëtarë.

mit/NOA
KOMENTE