English

Studimi/ Një mendje endacake, të bën të palumtur

SHBA, 16 Tetor, NOA- Të mendosh dhe të shëtitësh mendjen: janë aktivitete që të zhvillojnë intelektualisht, por ata nuk të sjellin lumturi dhe kënaqësi. Vetëm duke jetuar të tashmen pa rëne në mendime mund të jeni të lumtur.

Të qenit fizikisht në një vend dhe mendja diku gjetkë është shkaku kryesor i pakënaqësisë së thellë dhe të qenit jo të lumtur. Së paku, këtë, thotë një studim në Universitetin e Harvardit, drejtuar nga studiuesit Matthew Killingsworth dhe Daniel Gilbert publikuar në "Science". Siç pohojnë dy psikologët arsyeja është veçori e qenies njerëzore. Njerëzit shpenzojnë shumë kohë nga realiteti i çastit, duke menduar për ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën ose duke menduar për të ardhmen. Hulumtuesit shqyrtuan 2250 vullnetarë duke i pyetur ata në momente të ndryshme se çfarë ishin duke bërë e çfarë po mendonin dhe se ishin duke menduar për diçka të mirë, të pakëndshme apo emocionalisht neutrale e nëse ata ishin të lumtur apo jo. Rezultatet? Në 46,9% të kohës mendjet e të anketuarve ishin diku tjetër. Kjo do të thotë se, ndërsa ishin në këmbë, duke ngrënë, apo duke shikuar TV, këta individë nuk ishin të zhytur plotësisht aty. Mendja e tyre kishte “humbur” në hapësirë, me një fjalë: mungonte.

Sipas studimit njerëzit shpenzojnë 46,9 për qind të kohës së tyre duke menduar për diçka tjetër nga ajo që ata janë duke bërë, dhe pikërisht shëtitja e mendjes i bën ata të pakënaqur e të palumtur.

"Endja e mendjes ndodhte gjatë të gjitha aktiviteteve të anketuarve. Ky studim tregon se jeta jonë është e mbytur, nga një e vërtetë e pakëndshme: nga të qenit jo-prezent", thotë Killingsworth.

Lidhur me lumturinë, njerëzit e përfshirë në studim u shprehën se ata ishin të lumtur kur merreshin me sport, duke folur ose duke bërë dashuri, ndërsa ishin të pakënaqur në punë, në shtëpi para kompjuterit dhe në momentet e pushimit.

"Mendja njerëzore është endacake dhe një mendje endacake është e pakënaqur", thonë studiuesit.

Killingsworth arrin në përfundimin: "Shumë tradita filozofike dhe fetare mësojnë se lumturia mund të gjendet duke jetuar momentin dhe sugjerojnë rezistencën ndaj udhëtimit të mendjes. Këto tradita thonë se një mendje që endet është një mendje e pakënaqur. Dhe rezultatet tona duket se e kanë konfirmuar këtë".

Studim tregoi se mendja e ndarë krejtësisht nga realiteti material është shkaku i pakënaqësisë. Ndaj ndoshta ne duhet të mësojmë të rivlerësojmë aktivitetet e jetës së përditshme. Ne duhet të trajnojmë veten të ndjejmë përsëri gëzimin e fëmijëve që luajnë: ata janë të zhytur tërësisht në veprimet e tyre, plotësisht të pranishëm në veten e tyre në momentin kur ata jetojnë. Ndaj ne duket të kuptojmë dhe të vlerësojmë, qetësinë, rehatinë edhe gëzimin që vjen nga aktivitetet e përditshme, madje edhe nga ato më të thjeshtat dhe të zakonshmet.

a.e./NOA

KOMENTE