English

Veton Surroi: Dialog më ambicioz Prishtinë-Beograd

Prishtinë, 15 Nëntor, NOA – Kryetari i Klubit për Politikë të Jashtme të Kosovës, Veton Surroi, mendon se dialogu Prishtinë-Beograd kërkon një qasje të re, e cila të bazohet në ardhmërinë e Kosovës e të Serbisë në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për BBC-në, zoti Surroi ka theksuar se gjithë problematika ndërmjet të dy vendeve është politike, prandaj procesi i bisedimeve do të duhet të jetë më ambicioz nga sa është paralajmëruar.

Analisti i njohur kosovar mendon se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë një tregues emancipimi, por me kusht, siç thekson që "mos të përsëriten çrregullimet dhe vjedhjet e votës, sikundër ndodhi në zgjedhjet e mëparshme".

Zoti Surroi ishte këto ditë në Athinë, ku u takua edhe me ministrin e jashtëm grek, nga i cili kërkoi votën e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH).

Takimet me partitë politike greke, kishin ndonjë axhendë konkrete, apo ishin thjesht protokollare. Dhe më tej, a dalluat ndonjë ndryshim në çështjen e njohjes së Kosovës nga Greqia?

Këto takime u bënë në vazhdën e një iniciative që kemi nga Fondacioni Soros dhe Klubi i Politikës së Jashtme në Kosovë, për të mbajtur një kontakt me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Dhe, ashtu siç kishim pritur në gjysmën e parë të këtij viti një delegacion nga Greqia, ashtu vazhduam në këto takime, ndonëse partitë politike ishin të zëna me zgjedhjet lokale, bisedat tona u përqendruan tek qëndrimi grek ndaj Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe mënyrën se si mund të ndihmohet më tutje përafrimi mes Kosovës dhe Greqisë.

Ju si mendoni, njohja e Kosovës nga ana e Greqisë, ka thjesht vlerën që ka një njohje e radhës, apo është diçka më tepër?

Jo dhe këtë ua shpjegova miqve në Greqi se jo vetëm kemi të bëjmë me një shtet anëtar të BE-së, por kemi të bëjmë me një shtet anëtar të BE-së, i cili është në rajon, pra njohja nga ana e Greqisë ka një vlerë të shtuar.

Kosova ka nevojë për të pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur; jo vetëm Kosova, por edhe BE-ja ka nevojë në mënyrë që të unifikohet politika e BE-së.

Greqia e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, megjithatë ende insiston që Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një zgjidhje konsensuale. Ju si mendoni, a është realist ky qëndrim i palës greke?

Konsensus në këto raste nuk mbërrihet. Çka do të thotë se Kosova është e pavarur, do të jetë e pavarur, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe është e e pamundur të gjendet konsensusi mes pavarësisë dhe mohimit të pavarësisë. Por aty ku mund të ndihmojë Greqia, është që të ndihmojë Serbinë të kuptojë se ky është një proces i pakthyeshëm. Dhe këtë gjë Greqia mund ta bëjë duke iu afruar pozicionit të shumicës së shteteve të BE-së.

Në kushtet që Greqia nuk e njeh Kosovën, cilat janë hapësirat për zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Ka një komunikim mes Athinës e Prishtinës, ka interesim nga biznesmenët grekë për të investuar në Kosovë. Por si mund të funksionojnë këto marrëdhënie në kushtet që Greqia nuk e njeh Kosovën?

Greqia mund të ndihmojë në disa aspekte të tjera. Për shembull, Kosova ka nevojë për një votë të Greqisë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe për këtë çështje bisedova edhe me ministrin e jashtëm. Duke forcuar mundësinë e marrjes së kredive të favorshme për Kosovën, që jep BERZH-i.

Në këtë formë stimulohet ekonomia në Kosovë, por mund të stimulohet ndërkohë edhe inkuadrimi i biznesit grek. Por, padyshim, shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë një përparësi, një siguri juridike për biznesmenët e tyre.

Le të kalojmë te situata politike në Kosovë, për të cilën ka mendime se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme dhe zhvillimet që i paraprinë kësaj shpallje po ngadalësojnë proceset në Kosovë. Cili është mendimi juaj?

Unë mendoj se nga Kosova duhet të vijë një lajm tjetër. Lajmi tjetër është se përkundër fakti që jemi shtet i ri, përkundër faktit se jemi shtet i brishtë, etj., megjithatë një krizë parlamentare, çfarë ndodh në demokracitë parlamentare dhe mënyra e marrjes së legjitimitetit të ri nëpërmjet votës së shpejtë, tregon edhe për gatishmërinë e shoqërisë.

Do të thotë se kriza që ka filluar me dorëheqjen e presidentit të Kosovës, dhe është zhvilluar më tutje, është manifestim i një mungese të legjitimitetit politik të strukturave të tanishme politike. Kjo ndodh në shumë demokraci, dhe kur mungon ky legjitimitet shkohet në zgjedhje të reja. Fakti që Kosova këtë e bën si demokracitë e tjera perëndimore, është inkurajues. Dhe mund të merret si shembull pjekurie.

Ajo që natyrisht do ta dëmtonte shumë këtë imazh, është nëse përsëriten çrregullimet, vjedhjet e votës, sikundër ndodhi në zgjedhjet e mëparshme.

Menjëherë pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu, presidenti në detyrë shpalli se zgjedhjet do të bëheshin në 13 shkurt. Por menjëherë pas shpalljes dhe miratimit të kësaj date nga partitë kryesore, vjen një mocion votëbesimi i cili votohet në parlament dhe data e zgjedhjeve avancohet për më 12 dhjetor. A mund të supozohet se kjo ka lidhje me atë nxitim të kryeministrit Thaçi për t'u bërë zgjedhjet sa më shpejt, me qëllim që të shfrytëzohet situata, që sipas disa analistëve e favorizon atë në këto momente?

Nuk hyj në hollësi. Është e qatë se partitë në këso rastesh zgjedhin situata më të favorshme për ta.

Nga aspekti i të kundruarit të vendit si tërësi, fakti që mund të kalohet prej një date në datën tjetër, dhe jo me çrregullime, më duket se është inkurajues.

Si do t'i komentonit zhvillimet e fundit në LDK, zgjedhjen e kryetarit të ri nga njëra anë dhe daljen e një liste më vete, LDK-Ibrahim Rugova, nga ana tjetër? A mendoni se këto dy zhvillime do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të LDK-së, që aspiron të shndërrohet në partinë e parë të Kosovës?

Nuk preferoj të merrem me çështje të partive veç e veç, por ajo që më duket e qartë është se në të dy rastet kemi të bëjmë me procese demokratike dhe si të tilla duhen përshëndetur.

Në rastin e parë kemi të bëjmë me një zgjedhje demokratike, brenda LDK-së është zgjedhur me votë të lirë zoti Mustafa.

Në rastin e dytë kemi të bëjmë me një fraksion i cili ka dashur të udhëheqë, të dinamizojë sipas mendimit të vet, një proces brenda LDK-së dhe nuk ka gjetur një mundësi shprehjeje dhe këtë e gjen në një formë tjetër.

Kështu që për mua nuk janë brengosëse këto veprime, janë pjesë të një zhvillimi demokratik.

A mendoni se paraqitja e lëvizjes Vetëvendosje, do të përbëjë "zbulimin" e këtyre zgjedhjeve?

Unë mendoj se është lajm i mirë inkuadrimi i Vetëvendosjes në këto zgjedhje.

Ata kanë një porosi politike të vetën, kanë një një segment të vetin të popullatës që e tërheqin dhe është shumë më e mirë veprimtaria (e Vetëvendosjes) brenda parlamentit.

Shpresoj se do ta dinamizojë parlamentin i cili mund të them se nuk ka shumë me çka të mburret këto vitet e fundit. Dhe një dinamizim i parlamentit, kudo që të jetë Vetëvendosja apo cilido faktor i ri në jetën politike të Kosovës, është pozitive për Kosovën.

BBC: Platformat për bashkim me Shqipërinë, a mendoni se kanë vend për t'u elaboruar në kohën që Kosova po mbush tre vjet si shtet i pavarur?

Veton Surroi: Po edhe po të ketë platforma të tilla, është shumë mirë që ato të jenë të artikuluara brenda një debati politik, jo jashtë kornizave të debatit politik. Edhe ky, si çdo opsion tjetër, brenda një konteksti racional të debatit, duhet ta ketë legjitimitetin e vet.

Në rast se fillon dialogu Prishtinë-Beograd, cilat do të ishin ato çështje mbi të cilat mund të fillonte ky dialog?

Fjala dialog fsheh një proces serioz, i cili duhet të zhvillohet.

Këto janë negociata për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ky proces duhet të jetë shumë më ambicioz se sa është paralajmëruar.

Këtu paralajmërohen gjoja tema teknike, por mes Kosovës e Serbisë nuk ka asnjë problem teknik, të gjitha problemet janë politike dhe këto probleme politike duhen trajtuar.

Dhe këto probleme politike duhen trajtuar në një formë të re, jo në një formë të deritanishme, ku gjoja trajtohen çështjet e lehta për t'u zgjidhur dhe pastaj kalohet në çështje të tjera. Ne një qasje të tillë e kemi pasur me Milosheviçin në vitin 1992, në një përpjekje gjoja për të zgjidhur "çështjen e lehtë" të arsimit dhe ky proces mori pesë vjet, nuk prodhoi gjë, por krijoi një përshtypje se gjoja po zhvillohen bisedime, dialog, negociata.

Tash na nevojitet një qasje krejtësisht tjetër, na nevojitet një qasje e cila e konsideron këtë pjesë si pjesë të negociatave për aderim në Bashkimin Europian: ardhmëria e Kosovës si shtet dhe e Serbisë si shtet, është në BE. Nëse është kështu, atëherë hajde të shohim se çfarë procesi normalizimi kemi nevojë të zhvillojmë në mënyrë që këto dy shtete të jenë në Bashkimin Europian.

Pavarësisht ecurisë së negociatave, apo të dialogut, apo të takimeve Prishtinë-Beograd, kam përshtypjen se situata në Veri do të vazhdojë të jetë problematike për shumë e shumë kohë. Ju si mendoni, çfarë mund të bëhet për t'u normalizuar situata atje?

Ajo që duhet bërë fillimisht është të vendoset rendi dhe rregulli në kalimet kufitare. Ato që quhen "porta 1 dhe 31", kalimet kufitare në veri duhet të kenë doganierët e vet, policët e vet kufitarë dhe kjo çështje nuk duhej të ishte objekt negociatash.

Fillimi i funksionimit të gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës, po ashtu është një çështje e cila nuk duhet të jetë pjesë e negociatave.

Këto janë veprime të cilat duhet të bashkërendohen me EULEX-in me qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh ingerencat të cilat i ka EULEX-i dhe që nuk janë pjesë e një mandati të ri politik që duhet ta marrë EULEX-i

Ka pasur zëra, madje dhe nga përfaqësues të qeverisë së Kosovës se EULEX-i më tepër pengon se ndihmon në zhvillimin e gjërave. A është e vërtetë kjo?

Nuk do ta kualifikoja si pengesë, mirëpo EULEX-i është aty për të vepruar e jo për të ndenjur. Kështu që EULEX-i duhet matur nga aspekti i veprimtarisë së vet e jo nga aspekti i paralajmërimit të fjalëve të veta.

Tani, kur po afrohet tre vjetori i pavarësisë, a ka dhënë prova Kosova se mundet t'i largohet mbikqyrjes, ose më drejtpërdrejtë: a është e nevojshme që të vazhdojë kjo mbikqyrje ndërkombëtare në Kosovë, apo duhet që tashmë gjithë institucionet e Kosovës të funksionojnë në mënyrë me të vërtetë të pavarur?

Për fat të keq, edhe raporti i progresit i këtij viti e tregon shtetin si të dobët, me ndërhyrje të mëdha të politikës në të gjitha segmentet, që nga policia, deri te mediat dhe një ndërhyrje e tillë është vështirë e tejkalueshme pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht meqenëse bashkësia ndërkombëtare ka marrë ingrenca serioze në punën e gjykatave.

Ajo që i nevojitet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare është një plan i përbashkët, i cili përcakton masat e nevojshme në mënyrë që Kosova të pavarësohet dhe t'i marrë këto ingerenca në duart e veta, në polici, në gjyqësor dhe në segmente të tjera.

BBC

KOMENTE