Lezbos, Greqi 15 Nëntor 2010 NOA Update – Vrasje mes dy të rinjsh shqiptarë në Greqi, njëri prej tyre zhduket në drejtim të paditur dhe policia publikon kontakte për të mundësuar kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur natën duke gdhirë dita e sotme, në zonën e Plomariut në ishullin grek Lezbos. Viktimë është një djalë 21 vjeçar shqiptar, i identifikuar si Erald Rakipi, kurse autor i vrasjes, shoku i tij gjithashtu nga Shqipëria, një 26 vjeçar.
Që të dy, viktima dhe i dyshuar, prej disa vitesh jetonin si emigrantë të rregullt në Greqi, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Policia e rajonit të Mitilinit, tha se i ka ende të paqarta shkaqet e vrasjes që u krye me një thikë.
Viktima mori plagë vdekjeprurëse në kraharor dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë.
Në përpjekje për të shtënë në dorë të dyshuarin, policia publikoi numrin e telefonit 22510 24646 duke kërkuar ndihmë për kapjen e të riut shqiptar.
n.s/NOA