English

Zgjidhja e krizës, Berisha: Pres të shoh propozimet e reja të PS

Tiranë, 15 nëntor, NOA - “Zoti u dhëntë kurajo, se kanë 5 vjet mocion, mocion dhe nuk po e sosin dot atë. Le të bëjnë mocionin”.

Dy ditë pasi opozita deklaroi se do të kërkojë mocion votëbesimi për qeverinë dhe kryetaren e Pasrlamentit, Jozefina Topalli, kështu i është përgjigjur sot opozitës, kryeministri Sali Berisha duke theksuar se e mirëpret mocionin e saj.

Kryeministri Berisha theksoi se do ta marrë në konsideratë ofertën e re të Partisë Socialiste për hetimin e materialeve zgjedhore.

Duke ironizuar ofertën e paraqitur në tetor, në tryezën për reformën zgjedhore nga shefi i selisë rozë, Edi Rama, kryeministri në një prononcim për mediat bëri me dije se “Siç dorëzuan më 20 tetor një dokument, që mbante datën e 14 shtatorit, më duhet të pres, para se ta komentoj. Duhet të shoh propozimin e tij dhe natyrisht ne mbetemi gjithnjë të hapur për shqyrtim serioz të kërkesave të opozitës, të cilat do trajtohen me rigorozitet në kuadrin e Kushtetutës dhe kodit zgjedhor dhe pavarësisë së institucioneve”, tha Berisha.

Këtë deklaratë kryeministri e bëri pas mbledhjes së KRRTRSH-së ku ai u fokusua vetëm në problemet e kryeqytetit.

mit/NOA

KOMENTE