English

Zgjidhja e krizës, Fule përshëndet tërheqjen e opozitës: Oferta të mos humbasë

Bruksel, 15 nëntor 2010, NOA/ Irma Toptani – Tri ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kur shefi i PS-së, Edi Rama deklaroi se opozita nuk kërkon më hetimin dhe rinumërimin e fletëve të votimit, por vetëm hetim të materialeve zgjedhore, komisionari europian për Zgjerimin, Stefan Fule ka përshëndetur sot ofertën e re të Partisë Socialiste.

Sot pas mesditës, këtë përshëndetje të zotit Fule e deklaroi për mediat nga Brukseli zëdhënësja e tij, Angela Filote, e cila deklaroi se komisioneri Stefan Fule është në dijeni të kësaj oferte të re dhe ai po ndjek me vëmendje situatën politike në Shqipëri.

Filote deklaroi se “Komisioneri Fule mirëpret tryezat e reformës zgjedhore dhe iniciativën e Partisë Socialiste. Ai shpreson që oferta e re të mos humbasë dhe mazhoranca dhe opozita të punojnë bashkarisht për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund krizës politike që mban peng Shqipërinë që prej zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, një krizë që sikundër u bë e ditur mbajti peng edhe mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë më 9 nëntor.

Zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fule në emër të tij, ritheksoi edhe kritikat e publikuara në opinionin e Komisionit Europian për statusin e kandidatit, ku evidentohej se ishte kriza politika mes mazhorancës dhe opozitës, mosfunksionimi i parlamentit e për rrjedhore mosstabiliteti i institucioneve arsyeja më e parë që pengoi vendin të fokusohej në reformat e nevojshme për perspektivën evropiane.

Pas ofertës së kaluar për zgjidhjen e krizës, e dorëzuar në dorën e kryeministrit nga vetë kundërshtari i tij politik, Edi Rama në tryezën e parë për reformën zgjedhore, një ofertë e cila kërkonte afat të pakushtëzuar hetimi dhe ngrirjen e fletëve të votimit, ishte vetë kryetari i PS-së, Edi Rama që deklaroi pas asamblesë se “Oferta e re për zgjidhjen e krizës është në tryezën e qeverisë”.

Rama deklaroi të premten se në ofertën e re nuk ka asnjë kërkesë për hetimin e fletëve të votimit, pasi sipas Ramës, opozita nuk kërkon më hetim të fletëve të votimit, por vetëm hetimin e materialeve zgjedhore.

Kjo ofertë e re e opozitës është mirëpritur nga kryeministri Berisha, i cili deklaroi sot se pret të njihet me këtë ofertë zyrtarisht, duke garantuar se mazhoranca është e hapur për ta shqyrtuar ofertën me seriozitet, gjithnjë në respekt të Kushtetutës dhe kodit zgjedhor.

mit/NOA
KOMENTE