Tiranë, 16 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Ndërsa ministri i Transportit Sokol Olldashi e cilësoi një gënjeshtër paraelektorale premtimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama për ndërtimin e xhamisë së re, Bashkia e Tiranës ka reaguar duke i cilësuar akuzat e ministrit Olldashi si të padenja për këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit.
Zëdhënësi i bashkisë së Tiranës, Florion Serjani deklaroi në një konferencë për shtyp se është “Trishtim i madh që makina e baltës nuk pushon edhe në këtë ditë të shënuar të paqes njerëzore e të harmonisë fetare. Edhe më shumë trishtim kur një ministër prish qetësinë e kësaj dite, për diçka që s’ka si të mos e dijë, por bën sikur s’e kupton”, theksoi Serjani.
Ai mbrojti premtimin e dhënë nga kryebashkiaku Edi Rama se plani dhe toka për ngritjen e xhamisë së re janë gati, duke deklaruar se “Xhamia e Re është e parashikuar në Planin Francez dhe mbi atë plan qëndron edhe angazhimi ynë”.
Duke iu kundërvënë ministrit të Punëve Publike, i cili e cilësoi premtimin e Ramës si një premtim të pambajtur edhe në zgjedhjet e vitit 2007, ku si për ironi rivali i Ramës për Tiranën, ishte Sokol Olldashi, zëdhënësi Serjani duke përdorur sloganin ironizues ndaj Olldashit, në fushatën e Edi Ramës në 2007-ën, tha “Zoti e faltë delen e Perëndisë, që ka humbur brenda kostumit të Ministrit të Partisë”.
Kjo deklaratë erdhi pasi ministri Sokol Olldashi në një prononcim për mediat deklaroi se xhamia e re nuk parashikohet në planin francez të rregullimit të qendrës së Tiranës, duke lëshuar edhe një shprehje uranore, sipas të cilës, duhet që çdo gënjeshtar të ndëshkohet.
Ndërsa, kryebashkiaku Edi Rama një ditë para festës së Kurban Bajramit deklaroi në një konferencë të posaçme për shtyp nga selia e Bashkisë së kryeqytetit se tashmë është gati toka dhe plani për ndërtimin e xhamisë së re dhe të një muzeu të bashkëjetesës ndërfetare, dhe për të pritet vetëm të diskutohet në detaje me krerët e komunitetit mysliman për të hapur më pas konkursin ndërkombëtar për ngritjen e xhamisë.
Sipas ramës xhamia e re përmbush trekëndëshin e kulteve të feve në qendër të Tiranës, këndi i munguar i të cilës ishte xhamia e re për besimatërt muslimanë.
mit/NOA