English

Dëshmitarët e ndryshimeve të mëdha

Jemi sërish ne dëshmitarët dhe protagonistët e ndryshimeve të mëdha, që së bashku mundëm të përvijonim imazhin e një Shqipërie tjetër, të asaj që po ndryshon çdo ditë, të një Shqipërie model për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, tipare këto që janë ngulitur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar dhe që trashëgohen brez pas brezi, duke u vlerësuar si një ndër pasuritë më të vyera shpirtërore për atdheun tonë

Nga Sali Berisha

Një ditë e tillë, troku i së cilës godet mbi kujtesën tonë, duke u ndalur jo rastësisht 20 vite më parë, në ditët e paharruara të nëntorit, kohë kur Shkodra, ky qytet simbol i identitetit tonë kulturor e historik, do të përjetonte thyerjen e barrierave të vendosura për më se çerek shekulli nga regjimi totalitar ndaj besimit, kulturës dhe vetëdijes së një kombi. Pikërisht në ato ditë nëntori, ishin besimtarët myslimanë e katolikë, të cilët falë idealizmit dhe vetëmohimit që i ka karakterizuar në çdo kohë vendimtare për fatet e kombit, organizuan meshën e parë dhe rihapjen e xhamisë së parë në Shkodër. Një hap i tillë, në vjeshtën e fundit të diktaturës komuniste, ishte përtej çdo përfytyrimi, pasi për vite me radhë, diktatura ndërmori një represion jo vetëm ndaj lirisë së individit, por ngulmoi të shkatërronte një ndër virtytet më përfaqësuese së qenies njerëzore, besimin dhe vetëdijen e tij.

Tashmë kur kanë kaluar afro dy dekada nga ajo ngjarje e shënuar, është momenti për të nderuar dhe vendosur në lartësinë që i takon protagonistët e këtyre ngjarjeve martirët klerikë, intelektualët e shquar, të cilët asnjëherë nuk e vendosën veten jashtë përgjegjësive që u shpaloste koha, por edhe popullit me tradita të këtij qyteti që u vetësakrifikua në emër të besimit dhe të aspiratave të shenjta për liri dhe demokraci. Ishte pikërisht kjo shtresë që udhëhoqi principet bazë të ndërtimit të një sistemi të ri vlerash humane dhe kombëtare, e përfaqësuar nga të gjitha besimet të cilët mbrojtën me vetëmohim të pashembullt fenë dhe dinjitetin njerëzor, institucionet dhe kultet e besimit; kishat, xhamitë e teqetë nga shkatërrimi dhe vandalizmi komunist, në emër të jetës dhe mos tjetërsimit.

Me çrrënjosjen e besimit, fushatat për shembjen e objekteve të kultit dhe ekzekutimin dhe burgosjen në masë të klerikëve shqiptarë, regjimi totalitar synonte ta kthente krejt shoqërinë shqiptare në një armatë qeniesh pa identitet. Por koha vërtetoi të kundërtën. Kultura dhe vetëdija e kombit shqiptar, triumfoi mbi të pavetëdijshmen. E përjetshmja arriti të mposhtë denjësisht të përkohshmen. Dhe do të krijohej kështu, vala e ndryshimeve e viteve ’90, një tregues i qartë se me gjithë përpjekjet e shumta me të gjitha mënyrat që përdori mekanizmi shtetëror i diktaturës, i cili vërtetoi faktin se totalitarizmi mundi të asgjësojë gjithçka, por kurrsesi besimin në Zot dhe në zemrat e shqiptarëve. Janë të paharruara pikërisht ato ditë drithëruese kur njerëzit komunikonin nëpërmjet vështrimeve dhe me rrahjet e zemrave të tyre, në të cilat gjallonte besimi dhe forca për mbijetesë, kur bashkëpunimi i djelmoshave të rinj katolikë e myslimanë, pa asnjë kompleks, organizuan meshën e parë në varrezat katolike dhe predikimin e parë të xhumasë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ku morën pjesë mbi 55 000 vetë. Ky do të ishte mesazhi i parë i madh që jepte populli dhe rinia shkodrane, një sinjal i vazhdimësisë së traditës së shkëlqyer të harmonisë fetare, të bashkëjetesës e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

***

Në këtë “Program Solemn” me krenarë se kurrë në historinë tonë shumëshekullore. Shqipëria sot është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria sot është një vend i lirë me qytetarë të lirë, të cilët fituan të drejtën të lëvizin lirisht në zonën Shengen, duke bërë realitet ëndrrën më të vjetër dhe më të bukur të shqiptarëve, atë slogan që buroi nga buzët e mbarë shqiptarëve në sheshet e mbarë vendit: “ E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Jemi sërish ne dëshmitarët dhe protagonistët e ndryshimeve të mëdha, që së bashku mundëm të përvijonim imazhin e një Shqipërie tjetër, të asaj që po ndryshon çdo ditë, të një Shqipërie model për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, tipare këto që janë ngulitur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar dhe që trashëgohen brez pas brezi, duke u vlerësuar si një ndër pasuritë më të vyera shpirtërore për atdheun tonë.

Ne festojmë sot së bashku, me besimin se e ardhmja e Shqipërisë, dikur vend i hiperkolektivizimit total, ku të drejtat dhe liritë e njeriut ishin të ndaluara me ligj, do të jetë ajo Shqipëri që projektuan rilindësit dhe mishëruan plejada e studentëve dhe intelektualëve të viteve ‘90. Shqipëria që u idealizua për dekada me radhë në shpirtrat dhe veprat e pavdekshme të patriotëve tanë të shquar, një pjesë e së cilëve për t’i shpëtuar përndjekjes dhe persekucionit vdiqën jashtë atdheut të tyre, është pikërisht ai realitet që ne jetojmë dhe prekim çdo çast, një oaz i paqes dhe harmonisë fetare, një gjymtyrë e pandashme e kulturës dhe qytetërimit evropian.

Qeveria jonë ka bërë e po bën çdo përpjekje për të ndihmuar e mbështetur punën dhe veprimtaritë e bashkësive fetare në vend, ku veçanërisht këto liri e të drejta themelore, besimi dhe respekti për fenë dhe kultet, garantohet nga shteti ligjor dhe respektohet nga të gjithë institucionet e tij, duke u bërë një shembull unikal në botë, për vlerat humane dhe religjioze që transmetojmë përtej. Qeveria shqiptare tashmë ka nënshkruar një marrëveshje të posaçme në këtë drejtim, e cila po zbatohet me sukses, po kështu një faktor tjetër ndikues është edhe Ligji për Financimin e këtyre bashkësive, ndërkohë që në të ardhmen nuk do të mungojë përkrahja dhe mbështetja e shumanshme, duke ndihmuar jo vetëm financiarisht, por edhe në forma të tjera që koha do të na parashtrojë në të ardhmen.

***

Ne shqiptarët kemi një pasuri shumë të çmuar, pluralizmin fetar dhe bashkekzistencën në paqe e harmoni midis njerëzve të besimeve të ndryshme. Është detyra e shtetit t’i mbrojë dhe t’i zhvillojë më tej këto vlera, duke u krijuar besimtarëve dhe bashkësive fetare kushtet për të ushtruar me dinjitet misionin për edukimin e brezave, me fjalën e shenjtë dhe besimin tek Zoti.

*Fjala e kryeministrit për 20 vjetorin e lirisë së besimit, transmetuar sot në Shkodër nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj

KOMENTE