English

Kryeministri Berisha niset drejt Brukselit

Tiranë, 16 Nëntor, NOA – Kryeministri Berisha u nis sot për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në konferencën “Ballkani në zemër të Europës”, e iniciuar nga Partia Popullore Europiane (PPE), me pjesëmarrjen e personaliteteve nga vende të rajonit, anëtarë të Parlamentit Europian dhe komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fule.

Siç bëhet me dijeni nga burimet kryeministrore për agjencinë e Lajmeve NOA, në këtë event kushtuar rajonit të Ballkanit do të jetë e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Mësohet se kryeministri Berisha do t’u adresohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë, gjatë sesionit të parë me temë “Një erë e re për Ballkanin Perëndimor: nga konfliktet, drejt një rajoni demokratik, në paqe dhe prosperitet”.

Gjatë këtij aktiviteti, kryeministri Berisha, së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të PPE-së në Parlamentin Europian, Joseph Daul; kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimit Europian të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç, do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

n.e/NOA

KOMENTE