English

Presidenti Topi: Kurban Bajrami, një ditë për të qenë më shumë altruistë

Tiranë, 16 nëntor, NOA – Kurban Bajrami është një ditë e shenjtë kur më shumë se kurrë promovohet virtyti fisnik i të qenit altruist e jo egoist...

Kështu iu drejtua besimtarëve muslimanë, por jo vetëm, Presidenti i Republikës, Bamir Topi në festën e shenjtë të Kurban Bajramit, ditës që promovon sakrificën dhe mirësinë e mëshirën ndaj të vobektëve por edhe miqve e të afërmve.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Teuta Topi, Kreu i shtetit, vizitoi sot në mesditë selinë e Komunitetit Musliman ku i uroi kreut të këtij komuniteti, Selim Muça dhe të gjithë besimtarëve muslimanë Kurban Bajramin.

Pas urimit brenda komunitetit mysliman, Presidenti në mesazhin e tij të shkurtër drejtuar besimtarëve deklaroi se “Në këtë ditë të shënuar feja, ky institucion që promovon harmoninë, dialogun, tolerancën, ia transmeton këto virtyte njerëzve që të jenë më pak egoistë e më shumë altruistë”.

Presidenti risolli në vëmendje se “Dita e Kurban Bajramit përkon me përvjetorin e një evenimenti të rëndësishëm, pasi sot mbushen 20 vjet nga rikthimi i besimit islam pas shkatërrimit dhe ndalimit që iu bë nga regjimi diktatorial”.

Një ditë më parë Presidenti i Republikës, i uroi të gjithë besimtarët shqiptarë në të gjitha trojet për festën e Kurban Bajramit edhe përmes një mesazhi zyrtar.

“Kjo ditë e shenjtë në kalendarin islamik i mbush zemrat e gjithsecilit besimtar mysliman me dëshirën për të kryer vepra fisnike, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit me ndjenjën e mirëkuptimit, sakrificës dhe të solidaritetit, në ditë të mira e të vështira, me lutjen që besimi tek i Plotfuqishmi, respektimi i vullnetit të tij, të na ndihmojë, të gjithë ne shqiptarëve, për të kapërcyer sfidat më të vështira të jetës dhe për të ruajtur zakonet dhe traditat e paraardhësve tanë”, deklaroi në vigjilje të festës kryetari i shtetit.

Ai shprehu besimin “se vlerat e larta morale, mendimet e ndritura dhe qëllimet e dobishme, që karakterizojnë çdo besimtar të vërtetë, mund të luajnë një rol vendimtar në përballimin e atyre fenomeneve negative, që shpeshherë shfaqen në jetën e një individi, në jetën e një shoqërie”, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe shpresën se janë pikërisht vlerat më të mira të harmonisë dhe të tolerancës fetare, që do i kontribuojnë, sikundër tha Presidenti, zhvillimit të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit në dobi të së ardhmes së popullit shqiptar.

mit/NOA
KOMENTE