Tiranë, 16 nëntor, NOA – Kurban Bajrami festa e shenjtë që i mëshon sakrificës dhe mëshirës e mirësisë ndaj më të varfërve, më të dobtëve, një sakrificë kjo e blatuar edhe në kremtimin tradicional të kësaj dite të shënuar për besimtarët muslimanë në të gjithë botën nuk mund të lërë jashtë vëmendjes festën edhe për ata që s’kanë ta festojnë si të gjithë të tjerët.
Pasi edhe vetë flijimi i sakrificës me një qengj, dele apo cjap ndodh të ndahet në pjesë, ku çdo besimtar që flijon një kafshë për të kremtuar ritet e Kurban Bajramit duhet që një pjesë të mirë t’ia japë një familjeje të varfër, një pjesë të afërmve dhe atë që mbetet ta përdorë për të festuar me familjen e vet.
E për t’iu përshtatur kësaj ideje të mëshirës për njerëzit në nevojë, kryetari i Bashkisë së Tiranës festoi edhe këtë vit Kurban Bajramin në qendër të kryeqytetit, pranë bustit të Ushtarit të Panjohur, me ata që s’kanë mundësi të festojnë prej varfërisë.
Kryebashkiaku i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, shtroi një drekë feste për njerëzit në nevojë duke garantuar se çdo ditë Bashkia e Tiranës do të ketë në qendër të vëmendjes këtë pjesë të dobët të shoqërisë, me synimin për t’ua përmirësuar jetën qoftë edhe vetëm në një ditë si Kurban Bajrami.
“Kjo drekë është shprehje e kësaj vetëdije qytetare tha Rama.
Ai theksoi se bashkia punon për një të ardhme më të mirë duke siguruar se kjo e ardhme duhet të jetë ashtu sikundër e duan vetë të rinjtë.
“Gëzuar dhe mbarësi e dritë për festat që vijnë”, theksoi Rama.
Në drekën e shtruar nga Bashkia ishin të ftuar 200 vetë, më së shumti qytetarë në nevojë.
mit/NOA