English

Rama: Xhamia e re do të fuqizojë imazhin e harmonisë ndërfetare

Tiranë, 16 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Pas lajmit të mirë për të gjithë besimtarët muslimanë për planin e ndërtimit të xhamisë së re në qendër të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, ishte i pari politikan që vizitoi sot selinë e Komunitetit Musliman në kryeqytet për t’u dhënë mesazhin e tij të urimit për Kurban Bajramin, krerëve të këtij komuniteti dhe të gjithë besimtarëve muslimanë në Shqipëri.

Kryeqeveritari i Tiranës pas vizitës në mjediset e komunitetit ku u prit nga kreu i këtij komuniteti, Selim Muça dhe mesazheve të dhëna për mbështetjen nga Bashkia e kryeqytetit, si çdo vit i ka uruar besimtarët në këtë ditë të sakrificës dhe mirësisë që vjen prej besimit, edhe përmes një prononcimi për mediat.

“Sa herë dalim nga këto dyer flasim fjalë të bukura për bashkëjetesën fetare dhe për unikalitetin e këtij qyteti dhe këtij vendi, që jeton me të treja komunitet fetare në harmoni”, tha kryebashkiaku, Rama pas daljes nga selia e Komunitetit Musliman.

Duke i uruar të gjithë besimtarët për Kurban Bajramin ai deklaroi sikundër edhe një ditë më parë në vigjilje të festës se shtëpia e re e besimtarëve muslimanë sikundër e quajti kryebashkiaku Rama xhaminë e re ku do të falen besimtarët e kryeqytetit, si një institucion që do të fuqizojë imazhin e harmonisë ndërfetare.

“Sot unë jam shumë i lumtur që përveç fjalëve mund të përsëris nismën për t’i hapur rrugë më në fund realizimit të xhamisë së re, e cila plotëson trekëndëshin e bashkëjetesës fetare, duke fuqizuar këtë imazh të harmonisë fetare. Duke i dhënë besimtarëve myslimanë shtëpinë e tyre të re e duke i dhënë të gjithë kryeqytetasve një pikë të re referimi në këtë qytet”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se “Përtej të gjithave Tirana është një qytet unik që mund t’i tregojë botës një shembull të jashtëzakonshëm lidhur me bashkëjetesën fetare”, një bashkëjetese që sikundër kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama deklaroi dje do t’i kushtohet edhe një muze i bashkëjetesës ndërfetare.

Në fund të fjalës së tij kryebashkiaku Rama i ka uruar besimtarët muslimanë ta gëzojnë këtë ditë të Kurban Bajramit që mbi të gjitha i mëshon mesazhit të sakrificës dhe mirësisë për më të dobëtit, ashtu sikundër është kremtuar kaherë.

Dhe pikërisht ishte kjo shtëpi e re që u mungonte besimtarëve muslimanë për të kryer ritet e faljeve të tyre, sidomos nëpër ditë festash, që prej shumë vitesh që prej rikthimit të lirisë së besimit dhe praktikimit të saj në Shqipëri, i kryenin në shesh të hapur në bulevardin e kryeqytetit.

Ndërkohë që dy komunitetet e besimeve të krishtera, si ai katolik edhe ai ortodoks i kanë ftuar ndjekësit e tyre në shtëpiza të reja kulti, të ndërtuara në qendër të Tiranës.

KOMENTE