Tiranë, 17 Nëntor, NOA – Aviacioni Civil Shqiptar, Enti i Aviacionit Civil të Italisë prezantuan sot projektin e binjakëzimit "Mbështetje Aviacionit Civil Shqiptar për menaxhimin e sistemit të sigurisë", i cili financohet nga Komisioni Europian me vlerë monetare 1 milionë euro. Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku vërejti domosdoshmërinë e përditësimit e kërkesave të aviacionit shqiptar si dhe aftësive të mbikqyrjes së Autoritetit. Mazniku tha se këta janë elementë me rëndësi jetike për zhvillimin e transportit të brendshëm ajror dhe për të siguruar përputhjen me standardet evropiane.
Ai saktësoi të tri përbërësit e programit: 1-Kuadri ligjor shqiptar të rishikohet dhe rinovohet për të siguruar përshtatshmërinë me legjislacioin europian dhe detyrimet e ECAA-së (Zona e Përbashkët Europiane e Aviacionit). 2-Praktikat rregullatore europiane dhe ndërkombëtare të aviacionit të rishikuara, ripunuara dhe zgjeruara. 3-Rishikim i Strukturave Organizative dhe çdo reformë e nevojshme për t’u zbatuar.
Sipas Maznikut, bazë mbetet përmirësimi i procesit të menaxhimit: "Analizim i nevojave të trajnimit, trajnim i duhur i personelit për të siguruar qëndrueshmërinë e projektit brenda kuadrit të vlefshmërisë ajrore, operimeve, licencimeve dhe aksident/incidenteve; Ndihmë teknike për mbikëqyrjen e sigurisë kombëtare brenda kuadrit të vlefshmërisë ajrore, operimeve, licencimeve dhe aksident/incidenteve".
Projekti përqendrohet në mbështetjen e AAC-së për adoptimin dhe zbatimin e standardeve të mbikqyrjes së sigurisë ajrore dhe në përmirësimin dhe fuqizimin e aftësive të burimeve njerëzore të tij për t’ju përshtatur standardeve më të larta europiane brenda kuadrit të vlefshmërisë ajrore, operimeve, licensimeve dhe aksident/incidenteve.
Në takim ishte i pranishëm kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian, Luixhi Brusa, i cili tha se është me rëndësi që të përmirësohen çështjet duke u mbështetur nga përvojat e mëhershme në këtë sektor dhe po ashtu vërejti domosdoshmërinë e kushtimin e vëmendjes së posaçme për të pasur bashkërendimin e nevojshëm të agjencive që merren me aviacionin civil, si edhe ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme të stafit të këtyre agjencive.
Projekti do të zbatohet nga Enti Kombëtar i Aviacionit Civil të Italisë në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë.
n.e/NOA