Bruksel, 17 nëntor, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në konferencën “Ballkani në zemër të Evropës”, e organizuar nën kujdesin e Partive Popullore Evropiane, deklaroi se ajo është e vendosur të respektojë kushtetutën përtej kërkesave të çuditshme sikundër tha ajo të opozitës.
“Unë kam qenë e detyruar, dhe e vendosur edhe gjatë këtyre viteve kur kam pasur shumë kërkesa të çuditshme nga opozita, t’i qëndroj fort këtij parimi – shtetit të së drejtës. Dhe mendoj se shteti i së drejtës, respektimi i ligjit dhe Kushtetutës duhet të jetë i njëjtë për ne si shqiptarë ashtu siç është edhe për vendet e tjera. Kjo është mënyra më ë mirë për të ndihmuar dhe mbështetur një vend që ka shumë energji, përkushtim të madh politik për të ecur përpara, dhe për t’u bërë sa më shpejt të jetë e mundur, anëtare e BE-së’, theksoi gjatë fjalës së saj kryeparlamentarja Topalli.
Ajo theksoi se “Pas zgjedhjeve që u mbajtën në 2009-ën, zgjedhjet më të mira të realizuara në Shqipëri që plotësuan shumicën e kritereve të OSBE/ODHIR, ne në Shqipëri vazhduam të punonim fort pavarësisht vështirësive”.
“Në Parlament kemi pasur një agjendë shumë të ngjeshur. Gjate këtij viti kaluam mbi 300 ligje, vendime, dhe rezoluta, shumë prej tyre tejet të rëndësishme që kishin të bënin me detyrimet për liberalizimin dhe sfidat e tjera që kemi”, tha Topalli.
Ajo falenderoi eurodeputetët për vendimin për liberalizimin e vizave, i cili sipas saj u arrit falë reformave reale, sfidave të vështira dhe përmbushjes së kritereve të kërkuara, si dhe falë agjendës aktive të miratuar nga Parlamenti gjatë vitit të shkuar.
Sipas zonjës Topalli dy shtyllat kryesore të mazhorancës kanë qenë ekonomia, dhe Evropa, liberalizimi i vizave dhe integrimi.
Ajo bëri me dije se janë organizuar 136 seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, 19 grupe interesi janë ftuar në këto komisione, dhe më se 16 institucione kushtetuese kanë raportuar ne Parlament.
Kryeparlamentarja Topalli tha se falë reformave, institucionale dhe ekonomike, Shqipëria është një nga vendet që vazhdon të ketë rritje ekonomike, rritje pozitive prej 4%, dhe se vitin e fundit, Shqipëria ka pasur një rritje të eksporteve prej 68%.
Ajo rikujtoi se Evropa për shqiptarët është më shume se një magnet, ajo është vlerë, është paqe, është prosperitet.
“Shqipëria tani është anëtare e NATO-s; Shqipëria tani është më afër Evropës. Shqipëria ka shumë sfida, por një faktor, për mua si Kryetare e Kuvendit, por mendoj për çdo politikan, duhet të jetë e qartë ne mendjet tona – unë besoj në shtetin e së drejtës. Shteti i së drejtës është një shtyllë themelore e kritereve të Kopenhagenit. Për mua “shtet i së drejtës” do të thotë respekt për ligjin, respekt për Kushtetutën. Respekti për ligjin dhe Kushtetutën është për mua një trini. Këto fjalë janë trinitet”, nënvizoi Topalli.
Duke iu referuar titullit të konferencës “Ballkani në zemër të Evropës”, ajo u shpreh se shpresonte që institucionet e Evropës ta konsiderojnë Shqipërinë si zemra e Evropës.
“Në jemi evropianë, ne e konsiderojmë veten evropianë, dhe po punojmë shume që të jemi të besueshëm në sytë tuaj. Ne nuk po kërkojmë gjë tjetër, vetëm që secili të shohë qartë si ka ndryshuar realiteti në rajonin tonë dhe veçanërisht në vendin tim”, tha zonja Topalli.
Ajo propozoi që herën tjetër një delegacion nga Parlamenti Evropian të vijë në Shqipëri, dhe të shëtisë nëpër qytete të ndryshme për të parë nga afër realitetin dhe të vërtetën e Shqipërisë sot.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përfaqësues të PPE-ve anëtarë të Parlamentit Evropian, Kryetari i grupit parlamentar të PPE-ve zoti Joseph Daul, Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fule, si dhe personalitete nga vendet e rajonit të Ballkanit.
mit/NOA