English

Berisha i përgjigjet Ramës: Ofertën dorëzoje në Parlament

Tiranë, 17 nëntor, NOA – Pak pas mbylljes së mbledhjes së sotme të Këshillit shtetëror për ndërtimin e Parlamentit të ri, e mbajtur në orën 13.00, që u bojkotua nga kryebashkiaku Edi Rama, kryeministri Sali Berisha iu përgjigj deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste, për ofertën më të re për zgjidhjen e krizës politike, duke i kërkuar Ramës që ofertën ta dorëzojë në parlament.

Duke vërejtur se kërkon një ofertë zyrtare nga ana e shefit të opozitës, kryeministri theksoi se “Rama paska quajtur ofertë të re atë të 14 shtatorit. Kjo për mua është një lloj mungese e plotë serioziteti. Në atë ofertë shkruhet për hetim të pakufizuar, por në sistemin demokratik nuk ekziston asnjë personalitet apo institucion që të kenë fuqi të pakufizuar”, tha zoti Berisha.

Në këtë kontekst, kryeministri Berisha duke nënvizuar se nuk është në dijeni të asnjë oferte të re të Partisë Socialiste për zgjidhjen e krizës politike, i bëri apel kryetarit të PS-së që ofertën me propozimet e reja ta dorëzojë në parlament, duke e siguruar atë se qeveria do të shqyrtojë me seriozitet propozimet e opozitës.

Ndërkohë më herët, lideri i opozitës Edi Rama në një konferencë të posaçme për shtyp i bëri thirrje kryeministrit Berisha të pranojë ofertën e re të PS-së ku kërkohet vetëm hetimi i materialeve zgjedhore dhe jo më ai i fletëve të votimit.

“Berisha duhet t’i japë përgjigje ofertës së opozitës, që ja kam vënë unë personalisht mbi tavolinë dhe të zgjidhë krizën. Oferta jonë e re është e vetmja shpresë për të dalë nga kriza, duke bërë transparencën e zgjedhjeve”, tha më herët Rama.

Sipas tij pranimi i kësaj oferte për zgjidhjen e krizës është në përputhje edhe me rezolutën e PE-së, e cila sugjeroi për zgjidhjen e krizës politike, hetimin e materialeve zgjedhore.

mit/NOA
KOMENTE