Tiranë, 17 Nëntor, NOA - Endrra evropiane, u kthye në realitet. Kjo ka qenë shprehja e thënë në mënyrë mjaft entuziaste nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, para studentëve të tubuar në një koncert të madh në sheshin “Demokracia” të Qytetit Studenti.
I pranishëm në këtë eveniment të madh festiv, të organizuar me rastin e Ditës botërore të Studentëve, kryeministri ka përfituar nga rasti që t’u shprehë studentëve gëzimin që vjen tek ta me premtimin e realizuar për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian.
Duke i përshëndetur të gjithë studentët në ditën e tyre, Berisha u tha se ata tani kanë të hapur të gjitha dyert, falë realizimit të ëndrrës për të cilën luftuan dhe u përpoqën 20 vjet më parë të ashtuquajturit “Studentët e Dhjetorit”.
“Shqiptarët tani janë të lirë të udhëtojnë, pasi heqja e vizave u realizua, si një arritje e madhe për ta”, tha ndër të tjera Berisha.
n.e/NOA