English

Edi Rama: Kam vendosur të mos merrem me fletët e votimit, le të digjen

Tiranë, 17 Nëntor 2010 NOA / Irma Toptani – Kryetari i Partisë Socialiste e ka bërë të qartë sot plotësisht se fletët e votimit janë një kapitull i mbyllur për opozitën dhe djegia e tyre nuk do të pengohet nga minoranca.

I pyetur nëse fletët e votimit mund të digjen, z. Rama shpjegoi: “Fletët e votimit nuk janë objekt i këtij hetimi dhe nuk janë pjesë e interesit tonë për transparencën, të cilën do ta bëjmë duke hetuar kutitë e materialeve zgjedhore”.

Kur mendoni se mund të fillojë hetimi për materialet zgjedhore?

Hetimi duhet të fillojë një orë e më parë, në mënyrë që kriza politike të zgjidhet dhe zgjedhjet e ardhshme të shpëtohen. Me hetim një orë e më parë ne kemi parasysh implementimin e rezolutës së PE dhe transparencën e kutive të materialeve zgjedhore si shtyllë e patjetërsueshme e këtij hetimi. E kemi thënë shqip, po e përsërisim përditë, fletët e votimit janë jashtë objektit të këtij hetimi dhe jashtë interesimit tonë për këtë hetim. Për interesat e vendit dhe për domosdoshmërinë që Shqipëria të mos pësojë të njëjtin fat me statusin e kandidatit dhe me integrimin në BE, siç e pësoi me vizat, që i mori e fundit për shkak të mbetjes në klasë së përsëritur si pasojë e keqqeverisjes, ne e kemi bërë këtë ofertë dhe presim përgjigjen një orë e më parë për këtë ofertë. Në ndërkohë jemi të bindur se e vetmja shpresë për të zgjidhur ashtu siç duhet jo thjesht krizën politike, por krizën e demokracisë, të drejtësisë, të ekonomisë së vendit, është largimi i kësaj qeverie dhe zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme për ti dhënë Shqipërisë një qeveri të re dhe një model të ri zhvillimi.

Kjo do të thotë që fletët mund të digjen z.Rama?

Do të thotë që fletët e votimit nuk janë objekt i këtij hetimi dhe nuk janë pjesë e interesit tonë për transparencën, të cilën do ta bëjmë duke hetuar kutitë e materialeve zgjedhore.

Komisioni hetimor nuk do të ketë asnjë lidhje me fletët e votimit?

Ne kemi paraqitur ofertën tonë të re për ngritjen e komisionit hetimor. Në ofertën tonë të re nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit.

Si do ta shpjegoni këtë përpara atyre 200 personave që u futën në grevë urie?

Unë e di që televizioni Klan e ka në zemër atë që mendojnë ata persona, të cilëve nuk ju kursyet asnjë fyerje dhe asnjë shprehje cinizmi gjatë kohës së asaj greve, por ju siguroj se ne jemi koherentë dhe se ne kërkojmë transparencën që është e mundshme duke implementuar rezolutën e PE. Ndërkohë që pikërisht sepse duam që kriza të zgjidhet, pikërisht sepse duam që Shqipëria të mos humbë një tren tjetër për shkak të një krize që e mban vetëm Sali Berisha kemi vendosur një ofertë të re në tavolinë.

Oferta juaj e re a ka gjetur përkrahje nga Bashkimi Evropian?

Oferta jonë ka marrë një opinion pozitiv të shprehur publikisht nga zyra e Komisionerit për Zgjerimin, por ne duam që oferta jonë të marri përgjigje pozitive nga njeriu që e ka shkaktuar dhe e mban krizën hapur duke e thelluar atë, nga Saliu i votave të vjedhura dhe i kutive të mbyllura.

Z.Rama pse kërkoni që materialet mos ti merrni në arkiv, por ti merrni në KQZ?

Ne kërkojmë të drejtën tonë kushtetuese për të bërë një hetim parlamentar bazuar mbi parimin e transparencës dhe të kushtetutshmërisë dhe është e drejta e komisionit hetimor parlamentar të hetojë kutitë e materialeve zgjedhore. Pjesa që ju përmendni është vetëm një pjesë e kutive të materialeve zgjedhore. Ne duam kutitë e materialeve zgjedhore dhe gjithçka ka brenda tyre.

Ndërkohë zgjedhjet lokale po afrojnë, data 8 maj është dekretuar nga Presidenti Republikës, është një afat kushtetues dhe kështu siç po shkon kriza politike dhe mosnisja e hetimit parlamentar krijon një ngërç në njëfarë mënyre, i cili mund të reflektohet edhe në parlament...?

Nuk ka mundësi Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në rast se parlamenti nuk bën transparencën e zgjedhjeve të shkuara dhe nuk ka zgjedhje të mundshme në Shqipëri që të quhen të lira dhe të ndershme në rast se nuk i hapet rrugë hetimit parlamentar duke zbatuar e zezë mbi të bardhë rezolutën e PE, që është në ofertën tonë të re “mot a mot”.

Cili do të jetë plani opozitës për ta zbatuar pikërisht këtë kërkesë që ju keni për të bërë transparencë përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit. Ka opozita një skenar të sajin për të realizuar këtë gjë?

Edhe kjo konferencë shtypi është pjesë e kësaj përpjekjeje.

Kryeministri ka deklaruar se pret një letër me shkrim lidhur me ofertën tuaj...? Kryeministri nuk mund të verë kushte mbi atë që ne shkruajmë, madje kryeministri nuk ka fare punë as ai vetë me fletët e votimit, të cilat i trajton Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

FUND
KOMENTE