English

Fituesit e Botërorit të Formula 1 rrëfehen për surprizat që patën

Dy herë kampionët e botës rikthehen në Hangar-7

Salzburg, Austri, 17 Nëntor 2010 NOA - Christian Horner, Adrian Newey, Kampioni i Botës në Formula 1 Sebastian Vettel dhe gjashtë herë fituesi i Çmimit të Madh Mark Webber, piloti i Red Bull Racing – skuadrës që fitoi titullin Kampion Bote edhe si konstruktorë – ishin në Red Bull Hangar-7, në Salzburg ditën e martë, direkt pas garës së Abu Dhabi-t, ku u mirëpritën nga një grup muzikor tradicional austriak dhe shumë duartrokitje.

Gjatë konferencës për shtyp, Kampioni i Botës për vitin 2010 – Sebastian Vettel pohoi se muajt e fundit kanë qenë për të një eksperiencë fantastike dhe shtoi:

“Unë kam kaluar momente shumë të veçanta, të cilat nuk do ti harroj kurrë, por pa përjashtuar edhe momentet e vështira. Jam shumë krenar për arritjet tona – është një moment shumë i veçantë për mua dhe për të gjithë ekipin”.

Duke pohuar se tani “mezi pres të bëj pak pushim, për të kuptuar tamam këtë që sapo ndodhi, Vettel theksoi: “Padyshim që është momenti të shijojmë suksesin, por shumë shpejt do të përballemi me sfida të reja dhe qëllimi për vitin e ardhshëm është të ruajmë të dy titujt kampion të këtij sezoni. Ka shumë punë për të bërë, por unë jam i bindur që ne sërish do të jemi ndër skuadrat më të forta konkurruese”.

Ndërsa duke folur për ekipin dhe sportin, tha: “Ndjehem shumë i lumtur në këtë ekip – ne jemi si një familje e madhe, të gjithë janë shumë të përkushtuar ndaj asaj që bëjnë; vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen nivele të tilla. Pa suportin që unë pata nga Red Bull Junior Programme, nuk do të isha ulur tani në “poltronin” e Kampionit të Botës”.

Nga ana tjetër, Mark Webber pohoi se titulli Kampion Bote si konstruktor ishte shumë i rëndësishëm për Red Bull dhe sipas tij, tregon se ky sezon e ka forcuar shumë ekipin.

Ndërsa duke e personalizuar çështjen, tha: “Mua më mungojnë arritjet personale për këtë sezon, por gjithsesi ka pasur shumë momente të rëndësishme dhe sezoni i ardhshëm do të vije shumë shpejt. Nuk ka qenë e thjeshtë as për mua dhe as për Sebastian i gjithë sezoni, por kjo është normale kur konkurron në këto nivele. Të dy luftuam për titullin Kampion Bote dhe e gjithë skuadra luftoi drejt perfeksionit. Në fund të sezonit, ne jemi të aftë të tregojmë respekt për performancën e njeri-tjetrit, gjë e cila është shumë e rëndësishme”.

Në konferencë për shtyp foli dhe Christian Horner i cili theksoi se “i kaluam të gjitha problemet që hasëm dhe shkuam përtej limiteve”.

Ndërsa përforcoi: “Ne ia dolëm mbanë të mbanim nën kontroll skuadra të fuqishme si Ferrari, McLaren dhe Mercedes dhe do të luftojmë shumë të vazhdojmë të mbajmë këto pozita edhe në të ardhmen. Kjo është sfida e radhës për të gjithë ekipin”.

Horner tregoi se ka qenë një sezon fantastik për të gjithë skuadrën Red Bull Racing dhe vazhdoi: “Ne arritëm dy synimet tona vetëm pas gjashtë sezonesh dhe do të shijojmë këtë sukses për disa ditë, përpara se të fillojmë të ndërtojmë diçka të re mbi këtë rezultat dhe të përgatitemi për sfidat e reja të 2011”.

Duke folur në takimin me mediat, Adrian Newey tha se pas gjashtë vitesh punë intensive në Milton Keynes, u arritën objektivat dhe u ndal te viti që vjen: “Për vitin 2011 ne duhet të punojmë akoma më shumë mbi këtë perfeksion, për të ruajtur titullin Kampion Bote”.

Pas konferencës për shtyp, Christian, Adrian, Mark dhe Sebastian iu drejtuan Britanisë për tu takuar me ekipin në bazë, në Milton Keynes, UK.

e.r/NOA

KOMENTE