English

Imami: Në 2013, përfundon demontimi i gjithë municioneve

Elbasan, 17 nëntor, NOA - Dy linjave të para për demontimin e lëndëve plasëse në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, tashmë i është shtuar edhe një linjë e re për demontimin e minave kundërtank, e cila e ka çuar në tre numrin e tyre.

Linja, e cila më parë shërbente si një uzinë për prodhimin e municioneve anti-tank, sot e tutje do të bëjë krejtësisht të kundërtën: shkatërrimin e plotë të tyre, duke ulur maksimalisht rrezikun nga lëndët plasëse.

Pas prezantimit të punës së kryer deri më tani, nëpërmjet një briftingu të shkurtër që u mbajt nga drejtori i ULP-së, Daniel Karanxha, ministri Imami në fjalën e tij, ndër të tjera tha se “me anë të kësaj linje, do të bëjmë një demontim industrial i cili respekton kushtet maksimale të sigurisë, nuk shkakton ndotje të ambientit, jep mundësinë që DNT-ja, pra eksplozivi që ka mina kundërtank të të riciklohet dhe të futet për përdorim civil. I gjithë procesi që ka filluar këtë javë mbaron në pranverën e vitit 2013, ashtu sikurse e kemi parashikuar që në vitin 2013 të kemi mbyllur të gjithë procesin e demontimit të municioneve”.

“Duhet të kuptoni se ky është një projekt tërësisht i Ministrisë së Mbrojtjes. Ne kemi arritur tashmë vetë që të kemi kapacitetet tona, por sigurisht bashkëpunimi është gjithnjë i nevojshëm dhe i vlefshëm për të pasur procese teknologjike demontimi me këtë kualitet, me këtë siguri dhe me këtë kosto të ulët, apo zero, mbi ambjentin dhe mbi koston ekonomike. Jam i sigurt që nëse do të ecim me këto ritme, në vitin 2013 do ta kemi përfunduar këtë proces. Pra kemi hequr nga shpina këtë barrë që la regjimi i vjetër komunist”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE