Vatikan, 17 Nëntor, NOA - Në kuadër të vizitës së tij në Selinë e Shenjtë, ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, bëri një vizitë në komunitetin e Sant-Exhidios. Duke vlerësuar angazhimin e këtij komuniteti në Shqipëri, në fusha të tilla si shëndetësia, arsimi, ndihma ndaj shtresave në nevojë, si dhe në rajon, në drejtim të forcimit të paqes dhe bashkëjetesës, Haxhinasto shprehu besimin se bashkëpunimi me këtë komunitet, do të forcohet dhe zhvillohet më tej në të ardhmen.
Po kështu, ai falenderoi përfaqësuesit e këtij komuniteti për kontributin e tyre në drejtim të rritjes dhe promovimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Itali.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se harmonia dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një realitet që meriton vlerësim.
Përfaqësuesit e Komunitetit të Sant-Exhidios nënvizuan se liberalizimi i vizave është një arritje për të gjithë shqiptarët dhe se ky liberalizim, ka mbështetjen edhe të publikut italian.
n.e/NOA