English

“Let’s have sex” vazhdon Festivalin e të Rinjve në TK

Tiranë, 17 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Një titull intrigues dhe një ftesë pazakontë nga autori rus, Valentin Krasnogorov.

“Le të bëjmë seks” është një pjesë e jashtëzakonshme komike dhe filozofike shkruar nga një mjeshtër i skenës ruse.

Sfida i mbetet e regjisores Elma Dorezi, e cila në kuadër të projektit të Festivalit të të Rinjve, në Teatrin Kombëtar do të prezantojë të enjten në mbrëmje në sallën e vogël, në orën 19.00 këtë dramë sa komike aq edhe filozofike.

Kjo pjesë pati një sukses të madh kur u vendos në skenën e Moskës në vitin 2003, nga regjisori, Roman Viktyuk.

Të gjithë në këtë pjesë të çuditshme dhe absurde flasin dhe mendojnë vetëm për seksin. Titulli i guximshëm "Le të bëjmë seks" çon në keqkuptime të vazhdueshme.

Është e komplikuar, tragjike, por dhe shumë argëtuese.

E gjithë pjesa është e strukturuar si në rreth me dialogje.

Në fillim zhvillohet një dialog midis burrit dhe gruas, pastaj vazhdon me një dialog të Gruas dhe Profesorit, në një cikël, që nuk mbyllet asnjëherë.

Të gjithë personazhet e rinj, që hyjnë në skenë, prezantohen me frazën "Le të bëjmë seks".

Karakteret udhëhiqen nga ndjenjat më të forta të emocioneve njerëzore, vetmia dhe dëshira e zjarrtë për dashuri, dëshira për t'iu larguar problemeve dhe diskutojnë në mënyrë ironike për argumentin e tyre të preferuar.

“E vetmja mënyrë për t’u lidhur sa më shpejt me dikë është seksi”, thotë vajza.

“Njerëzit mund të ulen bashkë në të njëjtën zyrë për 100 vjet, të takohen nëpër festa, të pijnë bashkë dhe të shkojnë nëpër piknikë, por kjo nuk do t’i afrojë sa do t’i afronte një natë e vetme e kaluar bashkë”.

Vepra është përkthyer nga Edlira Saliaj, me skenografi të Drini Shehut dhe kostumografi nga Edlira Qyshka.

Në role interpretojnë, Devis Muka, Marsela Lena, Cubi Metka, Klodian Hoxha, Lisa Kujofsa.

m.s/mit/NOA
KOMENTE