Bruksel, 17 nëntor, NOA – Qeveria në një demokraci parlamentare nuk është gjithçka dhe ajo nuk mund të ecë përpara pa respektuar opozitën, dhe pa bashkëpunuar me të, si një institucion i nevojshëm për zhvillimin e demokracisë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
I pyetur nga mediat shqiptare, për krizën politike në Shqipëri dhe ofertën më të re të Partisë Socialiste, për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit duke përfshirë vetëm hetimin e materialeve zgjedhore, Adrian Severin, zëvendëspresidenti i grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian, njëherësh edhe numri dy i komisionit të politikës së jashtme në Parlamentin Europian u shpreh se ky komitet dëshiron që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian, andaj ai mbështeti edhe progres-raportin e fundit që u prezantua nga Komisioni Europian.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Internacionales Socialiste, Severin theksoi se “është absolutisht e qartë se megjithë dëshirën tonë për ta përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por megjithë kërkesat e miqve tanë socialistë në Shqipëri, të cilët na kërkuan të përshpejtojmë këtë proces, ne nuk mundemi që thjesht ta fillojmë këtë proces përpara se të jenë tejkaluar mosmarrëveshjet e brendshme politike, përpara se të jenë zbatuar plotësisht kriteret politike të Kopenhagenit, çka do të thotë që qeveria dhe opozita të punojnë sëbashku, të njohin rolet e tyre respektive në një demokraci”.
Sipas Severin “propozimet e fundit të bëra nga socialistët shqiptarë për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm brenda vendit janë të mirëpritura nga ne, pra mendoj jo vetëm nga socialistët dhe demokratët evropianë, por edhe nga familjet kryesore politike në Europë dhe në këtë moment presim një përgjigje pozitive nga qeveria shqiptare”.
“Unë mendoj se në këtë moment topi është në fushën e qeverisë dhe për këtë arsye e gjithë përgjegjësia për hapat e mëtejshme bie mbi qeverinë shqiptare”, tha Severin.
Zëvendëspresidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në PE, Adrian Severin theksoi se ai pret që qeveria ta pranojë ofertën më të re të opozitës, duke garantuar se pas kësaj përgjigjeje, “ne mund të punojmë për të arritur një stabilitet të mirëfilltë politik në vend dhe jo thjesht një stabilitet në dukje, dhe me këtë stabilitet ne mund të vazhdojmë më tej me negociatat dhe mbështetjen e përbashkët për të përmbushur hapat dhe për të arritur standardet për futjen e vendit në BE".
mit/NOA