Tiranë, 17 Nëntor 2010 NOA - PLUS Communication dhe Raiffeisen Bank shpallën sot firmosjen e kredisë sindikale më të madhe dhënë ndonjëherë biznesit shqiptar nga bankat lokale. Përmes kësaj kredie PLUS Communication i akordohen 35 milion euro nga 4 banka lokale në Shqipëri, të kryesuara nga Raiffeisen Group, që e vetme ka kontribuar me 25 milionë euro.
“Ne jemi shumë të kënaqur që po kryesojmë këtë sindikatë kredie dhe mbi të gjitha që tregu lokal po mbështet operatorin e katërt celular. Tregu është plotësisht i liberalizuar tashmë dhe më shumë konkurrencë do të sjellë më shumë zhvillim. Ne mirëpresim, si banka më e madhe në vend, nismat cilësore që vijnë nga investitorë seriozë dhe cilësorë si PLUS Communication. Pas negociatave jam i kënaqur të them se kjo është marrëveshja e parë e kësaj përmase, që përfshin jo vetëm bankat lokale, por edhe investitorët lokalë në një nismë shqiptare të telekomunikacionit”, tha Christian Canacaris, Drejtori Ekzekutiv i Bankës Raiffeisen në Shqipëri.
Moni Bunchnik, Drejtori Ekzekutiv i PLUS tha “Ne jemi krenarë që kemi fituar besimin dhe bashkëpunimin e partnerëve si Raiffeisen Bank, Tirana Bank, Intesa San Paolo Bank dhe Union Bank. Për ne firmosja e kësaj marrëveshje është një tjetër mundësi për zbatimin e planit tonë të biznesit, si kurorëzim i investimeve të mëdha të kryera tashmë nga aksionerët, me synimin për t’u shndërruar në operatorin celular të preferuar. Kredia do të na lejojë që të shpërndajmë më tej mbulimin me rrjet dhe të rrisim më tej sistemet tona të teknologjisë së informacionit (IT) përmes teknologjisë më të fundit të disponueshëm në nivel botëror.”
PLUS Communication Sh.a, është një konsorcium i drejtuar nga PTK e Kosovës dhe e mbështetur nga investitorë shqiptarë të mirënjohur, të angazhuar plotësisht në mbështetjen e këtij projekti, të cilit iu akordua licenca e katërt e 2G-së më 26 Qershor 2009.
Kompania ka zhvilluar projektin për ndërtimin dhe funksionimin e rrjetit të saj celular, duke mbuluar të gjithë territorin e Shqipërisë me sinjalin e PLUS. Këtu përfshihet shpërndarja e më shumë se 220 stacioneve në të gjithë vendin. Deri më tani janë operacionale në qytetet kryesore të vendit, stacionet e backbone, stacionet e mbulimit dhe të gjithë sistemet e tjera, ndërsa kompania po zgjeron vazhdimisht rrjetin duke siguruar cilësinë më të mirë për klientët.
Një mbështetje e fortë i është shtuar projektit nga investitorët shqiptarë në lidhje me bazën e klientëve, lehtësitë e pronës së paluajtshme, dhe kanalet e transmetimit.
e.r/NOA