English

Rama: Berisha të pranojë ofertën, të hetohen vetem materialet zgjedhore

Tiranë, 17 nëntor, NOA – Qeveria ka dështuar dhe largimi i saj është e vetmja shpresë për demokracinë shqiptare.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje sot kryeministrit Sali Berisha të pranojë ofertën e re të opozitës për zgjidhjen e krizës politike duke ngritur pa humbur më kohë komisionin parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të të kaluara të 28 qershorit, që po mbajnë peng prej 17 muajsh situatën politike në vend.

Lideri i opozitës në një konferencë të posaçme për shtyp sqaroi edhe njëherë se për shkak të integrimit të vendit, dhe mos humbjes së një treni të ri përdrejt Bashkimit Evropian opozita hodhi një ofertë të re në tryezë, ku sipas saj hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk do të përfshijë më hetimin e fletëve të votimit, por vetëm kutitë e materialeve zgjedhore.

“Hetimi duhet të nisë sa më parë pasi me këtë ne kemi parasysh implementimin e rezolutës së PE-së, dhe hetimin e materialeve zgjedhore, si shtyllën e hetimit të zgjedhjeve dhe votave të vjedhura të 28 qershorit. E kemi thënë se fletët e votimit janë jashtë këtij hetimi, dhe ne jemi të bindur dhe e kemi bërë këtë ofertë të re për shkak të kritikave në opinionin e KE-së për statusin e vendit kandidat”, tha kryesocialisti Rama.

Rama këmbënguli edhe njëherë se fletët e votimit nuk janë më objekt i transparencës që kërkon opozita për zgjedhjet e 28 qershorit.

Ai siguroi oferta e re i është paraqitur qeverisë dhe brenda saj nuk ka asnjë fjalë të shkruar për hetimin e fletëve të votimit.

“Ju siguroj se ne jemi koherent dhe se kërkojmë transparencën e zgjedhjeve, që është e realizueshme me hetimin e materialeve zgjedhore. Ne kemi dhënë këtë ofertë të re në tryezë, tha Rama, sepse duam që Shqipëria të mos humbë një tren të ri për në Europë.

Ai evidentoi se oferta e PS-së ka marrë pëlqimin publik edhe nga Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, por kryetari i PS-së, theksoi se tashmë oferta duhet të marrë pëlqimin edhe nga kryeministri, Sali Berisha, i cili arriti të manipulojë zgjedhjet duke vjedhur votat e opozitës.

Rama i bëri thirrje kryeministrit të mos ndalojë ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, pasi sikundër tha ai “Ne kërkojmë të drejtën tonë kushtetuese për të bërë një hetim parlamentar dhe është e drejtë e këtij hetimi, që të hetojë kutitë e materialeve zgjedhore”.

Më tej kryesocialisti Rama nënvizoi se largimi i kësaj qeverie nga pushteti dhe realizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe fitorja e Partisë Socialiste dhe e opozitës së bashkuar janë e vetmja shpresë për nxjerrjen e vendit nga kriza e gjithanshme që ka përfshirë Shqipërinë, dhe për ta vënë qeverinë në varësi të popullit, tha Rama duke e nxjerrë popullin jashtë varësisë së qeverisë, sikundër e ka zhytur Berisha.

“Sali Berisha duhet të largohet, e vetmja shpresë është Partia Socialiste dhe Opozita e bashkuar për një Shqipëri demokratike dhe një model të ri qeverisjeje”, bëri me dije Rama.

Por, ndërsa zgjedhjet vendore të 8 majit po afrojnë dhe ende nuk ka asnjë zhvillim të ri për reformën zgjedhore, shefi i selisë rozë nënvizoi se “Nuk ka mundësi Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa bërë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe pa zbatuar të zezë në të bardhë rezolutën e PE-së, që kërkon hetimin e materialeve zgjedhore”.

Kryeministri Berisha, tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk mund të vërë kushte mbi atë që opozita ka shkruar në ofertë, madje në këtë kontekst, ai nuk ka punë as me fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Vijon...

mit/NOA
KOMENTE