English

Rama letër Topallit: S’kam arsye të vij në mbledhjen pa rend dite për Parlamentin e ri

Tiranë, 17 nëntor, NOA – Pas marrjes së njoftimit për mbledhjen e komisionit Shtetëror për Kompleksin e Ri Parlamentar tek Piramida, kryebashkiaku Edi Rama i ka dërguar sot një letër kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli njëherësh kryetare e Komisionit për parlamentin e ri, duke i deklaruar se “nuk shoh arsye për të qenë i pranishëm në këtë mbledhje që s’ka as rend dite e as përmbajtje”.

Rama shkruan në letrën e tij, se “Lista e studiove që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në konkursin në fjalë dhe profili i tyre përshkruar në dokumentacionin bashkëngjitur njoftimit nuk ka asnjë lidhje me Ju, me kryeministrin e me këtë komision, pasi ky komision nuk ka kurrëfarë pune e kompetence profesionale për të shqyrtuar listën e studiove dhe përcaktuar çfarëdoqoftë lidhur me shprehjen e interesit të tyre”.

“Juve zonja Topalli nuk Ju kërkon kush të shpikni gjëra që në botën e qytetëruar janë rutinë dhe nuk u ka borxh kush që në vitin 2010 ta bëni kaq qesharak parlamentin megjithë qeveri, duke mos qenë në gjendje as të organizoni një procedurë kaq rutinë konkursi, që fare lehtë mund ta gjeni e adaptoni nga çdo vend europian”, nënvizohet më tej në letrën e kryeqeveritarit të Tiranës.

Ai e akuzoi kryeparlamentaren ndërkaq se si ajo edhe kryeministri e ministrat dinë vetëm të shajnë opozitën duke treguar se janë joseriozë e qesharakë, sikundër është tha Rama edhe “kjo mbledhje e lajmëruar vetëm dy ditë më parë për sot në orën 18.00, e që na lajmëroni sot në orën 11.00 se do u afroka në orën 13.00”.

Në këtë kontekst Rama sqaroi se ky ndryshim orari bëhet me siguri për ndonjë koncert për pushtetin, gjë që tregon sesa pak të organizuar e ka javën e punës, për të cilën shqiptarët paguajnë, Parlamenti dhe qeveria.

Në fund të letrës ai e ftoi zonjën Topalli të reflektojë për dëmin e madh që po i shkakton Parlamentit me arrogancën e pushtetit.

“Duke e mbyllur do t’Ju ftoja e nderuar zonjë të reflektoni mbi dëmin e madh që i keni bërë dhe vazhdoni t’i shkaktoni institucionit të parlamentit me kurajon e arrogancën e të paditurit. Dhe duke e ditur që kjo ftesë do të bjerë në vesh të shurdhër, Ju siguroj zonja Topalli në vullnetin e palëkundur të opozitës për të çuar përpara përpjekjen për largimin Tuaj nga një pushtet i vjedhur me të cilin po mbani peng demokracinë, drejtësinë dhe ekonominë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, shkruan Rama në letrën e tij, që sooli edhe mungesën e sotme në mbledhjen e Komisionit Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të Ri Parlamentar.

mit/NOA
KOMENTE