Tiranë, 17 Nëntor, NOA – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot shkëlqesinë ë saj mbretërore, princeshën Lea të Belgjikës e cila shoqërohej nga ministri i Shtetit të Belgjikës, Jaak Gabriels.
Princesha Lea u shpreh se ndjehej e kënaqur që viziton Shqipërinë, një vend për të cilin kishte dëgjuar shumë të flitej si një ndër vendet ish komuniste më të izoluara, por që aktualisht njeh ritme dinamike zhvillimi.
Kryetarja e Kuvendit duke i uruar mirëseardhjen i tha princeshës Lea se ajo vjen në një moment të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Vetëm pak ditë më parë Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë aprovuar në unanimitet lëvizjen e lirë për shqiptarët.
“Shqipëria, - u shpreh Topalli, - jeton kohën e sfidave, kohën e realizmit të tyre. Ne i jemi mirënjohës Belgjikës për kontributin në këtë proces edhe për faktin se lëvizja, ky dimension thelbësor i lirisë u realizua gjatë presidencës belge të BE”.
“Shqipëria, ndonëse jam këtu prej pak orësh, - tha Princesha Lea, - më ka hyrë në zemër, pse në çdo moment gjej fakte interesante dhe të mrekullueshme rreth vendit tuaj. “Drejtimi i Parlamentit Shqiptar nga një grua me kaq vizion dhe guxim është një model që befason edhe vende të zhvilluara të Evropës. Unë , tashmë planifikoj të vizitoj sërish Shqipërinë për të njohur më nga afër atë”, - u shpreh Princesha Lea.
Duke e falënderuar për konsideratat për Shqipërinë, kryetarja e Kuvendit, e siguroi princeshën Lea se është e mirëpritur në Shqipëri, në një vend të sigurt dhe me njerëz mendjehapur dhe mikpritës.
Princesha Lea, ndodhet në Tiranë me ftesë të Shtëpisë Botuese “55” me rastin e promovimit të librit “Një Princ në Bregun e Kaltër” me autor historianin e njohur belg Gunnar Riebs.
n.e/NOA