Vendimi i ri i ministrisë për Mbrojtjen e Qytetarit, iu jep mundësi emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të vizitojnë vendin e tyre shumë herë në vit, duke patur normalisht dokumentacionin e duhur
Athinë, 17 Nëntor 2010 NOA/ Rid Bulku - Ministri për Mbrojtjen e Qytetarit të Greqisë, z. Hristos Papuçis konfirmoi sot nënshkrimin e vendimit për emigrantët që jetojnë të ligjshëm në Greqi për hyrje-daljen e lirshme të tyre gjatë vitit 2011.
Në vendim që vjen në përputhje me dispozitat e nenit 11 paragrafi 4 i Ligjit 3386, përcaktohet se të gjithë emigrantët mund të udhëtojnë në vendin e tyre gjatë vitit 2011 sa herë ata të dëshirojnë.
Vendimi hyn në fuqi prej datës 01/01/2011 dhe deri në datën 31/12/2011 dhe vlen për lëvizje më shumë se një herë.
Emigrantët që munden të kalojnë në vendin e tyre dhe të rikthehen në Greqi duhet të kenë:
-Pasaportë ndërkombëtare ose dokument tjetër udhëtimi që njihet nga shteti grek, me kusht që të ketë vlefshmëri afatesh kadence;
-Vërtetimin tip A’ (ngjyrë blu) përmes të cilit vërtetohet se kanë aplikuar për lejen e qëndrimit në Greqi;
Në vendim theksohet se mundësia e daljes dhe hyrjes në Greqi nuk është e mundur për shtetasit e huaj që kanë vërtetimin e veçantë të qëndrimit të ligjshëm, i cili u është dhënë në përputhje me paragrafin 5 nr. 22037/01-10-2010 K.Y.A, për të cilët ndalohet dalja nga vendi dhe për ata që janë lënë të lirë me kusht që të paraqiten në rajonet e policive ku banojnë.
E thënë më qartë, nga këto lehtësira të shpallura, privohen vetëm ata shtetas të cilët janë nën akuzë për vepra penale ose janë të detyruar të mos dalin nga Greqia për shkak të vënies së tyre nën hetim penal.
n.s/NOA