English

Zbulohet grupi i vjedhësve të dyqaneve e lokaleve në kryeqytet

Tiranë, 17 nëntor, NOA - Goditet në Tiranë një grup kriminal me tendencë vjedhjet e dyqaneve dhe lokaleve.

Zëdhënësja e Policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini tha për agjencinë NOA se finalizimi i operacionit me kapjen e gjashtë autorëve të vjedhjeve u arrit mbrëmë në orët e vona të natës nga efektivët e policisë së Tiranës në komisariatet e policisë nr.1,2,3,4,5,6.

Gjashtë shtetasit e arrestuar nga operacioni i koduar policor, “Pazma” janë:

Spartak Xhevair Qoku, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë

Vilson Shebri Hasa, 20 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë

Vehap Mejdin Halili, 25 vjeç, banues në Bulqizë

Egli Myfit Mane, 20 vjeç, banues në Tiranë

Romeo Mustaf Mustafa, 27 vjeç, banues në Tiranë

Etmond Todi Maska, 23 vjeç, banues në Tiranë

Policia e kryeqytetit bëri të ditur se lidhur me këtë operacion janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

Gjatë hetimeve policia doli në përfundimin se këta shtetas në bashkëpunim me njëri - tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme, dyshohet të jenë autor të shumë vjedhjeve të dyqaneve dhe lokaleve kryesisht, lloto sport, të ndodhura në kryeqytet dhe në qytetin e Durrësit.

Janë dokumentuar tërësisht implikimi i një sërë vjedhjesh të dyqaneve e lokaleve dhe më konkretisht:

Më datë 04 Maj 2010, në rrugën “Idriz Dollaku” në Tiranë dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjerin kanë vjedhur pikën e Eurollotos në pronësi të një shtetasi, të cilit i kanë marrë rreth 5 copë televizorë plasma.

Më datë 11 Gusht 2010, në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, kanë vjedhur lokalin e llotove sportive Bet Pus, në pronësi të një shtetasi, të cilit i kanë vjedhur në bashkëpunim përmes tyre 4 TV të markës “Grundig”.

Më datë 25 gusht 2010, në rrugën “Lord Bajron” në Tiranë, kanë vjedhur me thyerje lokalin Fast Food dhe dyqanin e celulareve në pronësi të një shtetasi, të cilit i kanë vjedhur 20 copë aparate celulare.

Më datë 04 shtator 2010, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, pranë bllokut të ambasadave kanë vjedhur pikën e llotove sportive, në pronësi të një shtetasi, ku kanë marrë 7 televizore plasma.

Më datë 15 shtator 2010, në Rrugën Studenti, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e lokali “Rig cafe”, në pronësi të një shtetasi, ku kanë marrë disa televizor plasma.

Më datë 18 gusht 2010, në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, dysohet se kanë realizuar vjedhjen e një lokali Eurolloto, në pronësi të një shtetasi, ku dysohet se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me njeri tjerin kanë marrë 6 copë televizorë plasma. Më datë 20 shtator 2010, Bulevardi “Bajram Curri” pranë pallatit me shigjeta Tiranë, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen me thyerje top bast, në pronësi të një shtetasi, të cilit i kanë vjedhur 3 televizorë plasma, të markes “Grundig”.

Më datë 22 shtator 2010, në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, kanë vjedhur me thyerje lokalin eurolloto, në pronësi të një shtetasi, ku kanë vjehdur 4 copë televizorë plasma, të markes “LG”.

Më datë 22 shtator 2010, pranë sheshit “Rilindja”, kanë vjedhur automjetin tip “Kia Sorento”, me targa greke ZKE 8024, në pronësi të një shtetasi.

Më datë 12 tetor 2010, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, dysohet se në bashkëpunim me njëri tjerin kanë vjedhur me thyerje lokalin Lloto Sporti, në pronësi të një shtetasi, ku kanë vjedhur 8 copë televizorë plasma.

Më datë 09 nëntor 2010, në rrugën “Kont Urani”, kanë vjedhur me thyerje lokalin Lloto Sporti, në pronësi të një shtetasi, ku kanë vjedhur 2 copë televizorë plasma, të markës “ Samsung”.

Nga hetimet rezultoi edhe se këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin, janë autorë edhe të një sërë vjedhjesh të lokaleve në qytetin e Durrësit, si dhe supermarkete të ndryshme po në Durrës.

Aktualisht, policia njoftoi se vazhdon puna intensive për dokumentimin ligjor të të gjitha vjedhjeve të tjera të realizuara nga ky grup kriminal me tendencë vjedhjet e pasurisë së shtetasve, si dhe kapjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim, tashmë të identifikuar.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, 23 televizorë plasma të markave të ndryshme; 2 qese, brenda së cilës gjendeshin një sasi bime dyshuar e llojit Canabis Sativa; 1 automjet i markës tip “Renault Klio”, me targa TR 6807 T; sende të ndryshme si leva, pinca, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale si dhe katër aparate telefonike celulare të markeve të ndryshme.

Materialet hetimore për këtë çështje penale i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

mit/NOA
KOMENTE