English

ZMK: Po u rrit çmimi i energjisë elektrike, do ta padisim ERE në prokurori

Tiranë, 17 Nëntor, NOA - Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve – ZMK, reagon ndaj planit të Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. “Nëse rrisin çmimin, ZMK do t’i kallëzojë në prokurori drejtuesit e ERE për shpërdorim detyre” deklaron avokati Altin Goxhaj, drejtues i kësaj shoqate.

Një paralajmërim i tillë vjen në një kohë kur të nesërmen Enti Rregullator i Energjisë ka paralajmëruar se organizon një seancë dëgjimore për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ndërsa 2 muaj më parë, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve denoncoi planin e ERE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 12% në favor të kompanisë çeke CEZ.

ZMK deklaron se çdo rritje çmimi e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë është e papranueshme dhe është një akt i pastër anti-konsumator.

Prandaj ajo do të reagojë me forcë për çdo lloj iniciative të ERE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Nëse ERE do të vendosë rritjen e çmimit të energjisë atëherë kjo është në kundërshtim me misionin e vetë ERE”, citojnë drejtuesit e ZMK.

Sipas të cilëve, nëse ERE do të rrisë çmimin e energjisë, ai shkel ligjin për motive të paditura duke dëmtuar me qindra mijë abonentë të OSSH-së në vlera qindra miliona lekë. Ju theksojmë se vendimi për rritjen e çmimit do të merret nga më shumë se një person dhe kjo do të kryhet në bashkëpunim.

“Dëmi që i bëhet biznesit në këtë kohë krize është i pallogaritshëm ndërsa dëmi që i bëhet konsumatorëve është i jashtëzakonshëm sidomos ndaj shtresave të varfra të popullsisë siç janë të varfrit, pensionistët dhe popullsia me të ardhura mesatare sidomos ajo me të ardhura nga buxheti i shtetit”, citon deklarata e ZMK-së.

n.e/NOA

KOMENTE