Tiranë, 18 nëntor, NOA – Brenda 7 dhjetorit, pritet të merret vendimi për rritjen e çmimit të energjisë i kërkuar nga Korporata Energjitike Shqiptare, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (CEZ) dhe OST.
Pas dëgjimit të propozimeve të bëra, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Bujar Nepravishta deklaroi në një prononcim për mediat se “gjatë seancës dëgjimore me përfaqësuesit e tri kompanive se është kërkuar rritja e çmimit të energjisë me 12 përqind, kur çmimi i saj sot për sot është 9.53 lekë për kw/orë”.
Nepravishta sqaroi se ERE propozoi që çmimi i energjisë të rritet deri në 10.67 lekë për kw/orë.
Ai shtoi se vendimi se sa do të rritet çmimi i energjisë do të merret nga brenda 7 dhjetorit.
Kompania CEZ shpërndarja theksoi se ka ende konsumatorë që nuk e paguajnë energjinë, por ka edhe nga ata që e vjedhin.
CEZ kërkoi sakaq që çmimi i energjisë të rritet për investimet e larta.
Kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë vjen në një kohë kur zona të tëra të Tiranës janë zhytyr mbrëmë në terr energjetik me orë të zgjatura.
Kanë qenë pikërisht zonat e Tiranës së Re, bllokut Vasil Shanto, zona e 21 Dhjetorit, disa nga zonat e kryeqytetit, të cilat kanë patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Lidhur me ndërprerjen e energjisë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, theksoi se shkaku i ndërprerjes është bërë defekti në linjën 220 kv të hidrocentralit të Komanit, Selitë-Elbasan.
Sipas OST-së, defekti bëri që nënstacioni të punonte me 40 përqind të kapacitetit të tij, gjë që solli edhe ndërprerjen e energjisë për disa zona, deri në riparimin e tij.
mit/NOA