Pikërisht mungesa e ofertës serioze politike dhe ekonomike apo më mirë të them pamundësia për materializimin e këtyre ofertave ka ndikuar në ashpërsimin e fjalorit elektoral si dhe shprehjen e rrugaçërisë më të ulët në debatet “politike” në ekranet tona televizive
Nga Behxhet Sh.Shala
Kodi i Mirësjelljes apo Mirësjellja e Çkodifikuar:Është bërë si rregull që para mbajtjes së zgjedhjeve qofshin ato lokale apo të përgjithshme, subjektet politike e nënshkruajnë Kodin e Mirësjelljes që nënkupton se subjektet garuese do ta frenojnë gjuhën e tyre gjatë fushatës zgjedhore e që për rezultat do të kishte zgjedhje normale, pa tensione të cilat nuk do të kundërshtoheshin nga po këto subjekte. Nëse i referohemi shtypit ditor apo debateve që mbahen në mediet elektronike atëherë e kemi lehtë të themi se ka filluar përdorimi i “ gjuhës së vjehrrës”, kërcënimit, shantazhit, paraqitjes së ofertave për poste pas përfundimit të zgjedhjeve, paralajmërimin për organizimin pushimeve verore, dimërore, vjeshtore dhe pranverore në Burgun e Dubravës për individë të caktuar, sulme në personalitetin e individëve të shënjestruar dhe familjeve të tyre si dhe gërryerje të zorrëve nga e kaluara etj. A janë këto programe politike apo oferta që ndihmojnë në të ardhmën që Kosova të ringjallet ekonomikisht?. A do të ndihmojë ky fjalor për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë?. Apo për një arsim më cilësor dhe shërbime shëndetësore më të mira. Gjithsesi jo dhe jo. Po pse atëherë( keq)përdoret gjuha e cila normalisht përdoret për vendosjen e komunikimit midis njerëzve në aspektin global ndërsa midis kandidatëve dhe elektoratit në Kosovë në aspektin lokal?. Pikërisht mungesa e ofertës serioze politike dhe ekonomike apo më mirë të them pamundësia për materializimin e këtyre ofertave ka ndikuar në ashpërsimin e fjalorit elektoral si dhe shprehjen e rrugaçërisë më të ulët në debatet “politike” në ekranet tona televizive. Subjektet garuese “ opozitare” po përpiqen ta shfrytëzojnë krizën institucionale të cilën e identifikojnë me krizën qeveritare duke e sulmuar vetëm Qeverinë e Kosovës për të gjitha të këqiat që i kanë ndodhur Kosovës, Afganistanit, Somalisë dhe Sudanit. Duke e sulmuar qeverinë nga të gjitha pozicionet po bëjnë përpjekje ta shfajësojnë veten ndonëse edhe vet janë përgjegjëse për këtë krizë. Ansambli politik Shota e Gadafit është subjekti politik që duke e quajtur veten të vetmën opozitë “ konstruktive” në Kosovë në fakt ka tregusr se si nuk duhet të jetë opozita, as në Kosovë e as në Kazakistan. Madje, as në Libi. Sepse gjatë tërë kohës ka qenë dashnore pasionante e pozitës me një përfundim të palavdishëm apo më mirë të them, të turpshëm. Të gjithë e pritën me entuziazëm nënshkrimin e Kodit të Mirësjelljes. Duket se megjithatë më i lumturi në këtë mes ishte Kristofer Dell, ambasadori i SHBA-ve. Në fakt, nuk do të kishte fare kuptim nënshkrimi i këtij Kodi të Mirësjelljes pa praninë e nunit, kumbarës së thuaja të gjitha pëlqimeve apo nënshkrimeve të marrëveshjeve të cilat nuk ishin gjithmonë marrëveshje për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk ka ndonjë detyrim ligjor për mosrespektimin e saj përveç atij moral. Përgjegjësia morale sot në Kosovë e ka humbur kuptimin e saj apo është degjeneruar krejtësisht duke u shndërruar thjesht në një mjet marketingu, për një përdorim. Kodi i Mirësjelljes nuk është vetëm një nënshkrim në një letër por është çështje e vetëdijës, ndërgjegjes, kulturës politike, edukatës familjare, traditës dhe vlerave tjera njerëzore. Nëse kuptohet dhe konsiderohet si e tillë atëherë letra e firmosur nga subjektet garuese është e tepërt dhe krejtësisht e panevojshme. Por duket se pikërisht ky Kod po (keq) përdoret si faturë apo mbulesë për arrogancë, rrugaçëri, injorancë, egocentrizëm, vardisje, shërim të ndjenjës së kompleksit të inferioritetit të disa subjekteve politike e sidomos të disa individëve të cilëve, në shtete normale me ligj do t’u ndalohej të bëhe “përfaqësues” të popullit. Duke e njohur shumë mirë mentalitetin antologjik nënshtrues të disa subjekteve politike e sidomos të disa politikanëve të kriminalizuar deri në palcë, disa ambasadorë menjëherë e përshëndetën nënshkrimin e këtij Kodi të Mirësjelljes. Këto përshëndetje dhe përkrahje të ambasadorëve dhe mbretit Fejt nuk ndikuan aspak që të zbutet fjalori apo të mbahet nën kontrollë gjuha e gjatë e disa subjekteve politike e në veçanti e disa individëve të cilët njihen dhe janë të parapaguar të shkaktojnë incidente, jo vetëm verbale. Prandaj, Kodi i Mirësjelljes është djegur i tëri pa filluar ende fushata.
Kriminalizimi i listave apo listat e Al Kapones: I kam lexuar me shumë kujdes listat e propozuara të subjekteve politike garuese dhe me përgjegjësi e them se vetëm një parti në këtë rast ka luajtur FER. Ndryshe, në lista për deputetë ka emra që psh.në shtetin e ambasadorit amerikan Kristofer Dell apo të z. Sparks do të sanksionoheshin me ligj edhe në rast se vetëm do ta shpalosnin si ide kandidimin e tyre. Te ne kjo është shndërruar në diçka krejt normale e që përkrahet nga diplomatë me ndikim. Prandaj, në këtë kontekst e shoh lidhshmërinë dhe ngjashmërinë e Shindlerit dhe ambasadorëve Dell dhe Sparks. Shindleri ka përpiluar lista edhe të falsifikuara për t’i shpëtuar çifutët nga vdekja apo asgjësimi gjatë luftës së dytë botërore ndërsa ambasadorët në fjalë përpiqen që përmes përkrahjes në heshtje t’u sigurojnë mbijetesën politike dhe fizike politikanëve të korruptuar, si të pozitës ashtu edhe të opozitës. Dhe të përfaqësuesve të minoriteteve, gjithsesi. Në anën tjetër na fajësojnë se nuk po e luftojmë sa duhet korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për këtë arsye na bombardojnë pastaj me raporte të progresit e që në fakt mund të quhen raporte të regresit të cilat i përdorin për ndëshkim të qytetarëve të Kosovës siç ishte izolimi apo getoizimi i qytetarëve të Kosovës me rastin e procesit të liberalizimit të vizave. Të gjitha shtetet e Ballkanit, ndër to edhe ato më kriminale siç ishte Serbia përfituan nga ky proces ndërsa Kosova që ishte viktimë e agresionit të regjimit serb u bë viktimë, tash e demokracisë evropiane. Kjo i bie sikur të sëmurit nga kanceri t’i ndërpresh terapinë, jo që e shëron por që i siguron një vdekje me dhimbje të durueshme. Kam menduar pse në fakt këto lista duken siç po duken?. Dhe pse ata që janë përgjegjës për përpilimin e listave i lejojnë këto lista që herët a vonë do t’i kthehen si boomerang pikërisht subjektit politik në fjalë. Duke e kriminalizuar atë subjekt politik e bëjnë të shantazhueshëm për lëshime politike. E them me plotë bindje se maja e korrupsionit në Kosovë janë ndërkombëtarët, që nga viti 1999 e deri më sot. Me jotransparencën e tyre, imunitetin e parapaguar ata e kanë inkurajuar dhe fuqizuar korrupsionin në Kosovë deri në shkallë që është shndërruar në mënyrë të jetesës. Ndërkombëtarët i kanë dy standarde në “ luftë” kundër korrupsionit; i denoncojnë dhe i ndjekin politikanët që nuk u binden apo që nuk u binden 100% ndërsa ndërtojnë raporte miqësore me ata politikanë me të cilët kanë biznes të përbashkët apo ndonjë interes politik. Luftën kundër korrupsionit e kanë shndërruar në “ gjueti shtrigash” kundër luftës së lavdishme dhe heroike të UÇK-së duke bërë përpjekje që kriminalizimin e disa figurave të UÇK-së ta barazojnë me kriminalizimin e tërë luftës. Këtë përpjekje të ndërkombëtarëve po e përkrahin disa medie të shkruara ndërsa disa medie tjera e bëjnë të kundërtën. Politikanët e korruptuar që kanë mbijetuar disa mandate në postet e tyre nuk është lehtë t’i largosh nga posti dhe nga lista. Ata janë ashtëzuar në ato pozita. Disa kanë hyrë në lista me shantazhe dhe kërcënime ndërsa disa të tjerë kanë hyrë në lista në përpjekje të sigurimit të imunitetit nga përgjegjësia penale. Po nuk e kuptoj arsyen pse disa subjekte politike i kanë futur në lista personat e kriminalizuar duke negociuar dhe duke i lutur që të bëhen pjesë e listave të tyre?. Vërtet nuk e kuptoj.. Nëse, t’i heqësh nga lista personat me një” traditë” kriminale paraqet problem, e gjithsesi paraqet problem, futja në lista e atyre që janë të inkriminuar duke u krijuar favore dhe duke i lutur ata nënkupton se problemin po e krijon vet. Arsyetimi se askush nuk mund të shpallet i fajshëm deri sa nuk dënohet me një vendim të prerë të gjykatës përkatëse, për rrethanat ekzistuese në Kosovë është vetëm inkurajim i krimit dhe korrupsionit dhe shprehje e mungesës së guximit dhe vullnetit që të luftohen këto dukuri negative që e rrezikojnë zhvillimin dhe të ardhmën e Republikës së Kosovës. Ky arsyetim për bartësit e posteve të larta publike dhe shtetërore nuk do të duhej të vlente sepse humbet skajshmërisht besueshmëria në ta. Nuk e përjashtoj mundësinë se ka burgosje, hetime por edhe vendime të gjykatave që nuk mbështeten në fakte por në denoncime dhe prova të mbindërtuara mbi këto denoncime mirëpo megjithatë ekziston një përgjegjësi morale e cila do të duhej të ishte më e rëndë se ajo penale. Fytyrë është kjo. Duhet ta themi të vërtetën dhe ta mbrojmë të vërtetën edhe në rast se duhet ta paguajmë një çmim të caktuar për të. Nëse këto lista mbesin të njëjta atëherë e ardhmja e Kosovës do të jetë shumë problematike dhe e diskutueshme. Është në interes të vet subjekteve politike ta bëjnë dekriminalizimin e tyre. Është në interes të vet liderëve politikë të marrin vendime për pastrimin e listave. Vetëm në atë rast mund të llogariten se janë liderë politikë. Në fund të fundit, nëse mbesin këto lista ashtu siç janë atëherë votuesi, me votën e tij duhet t’i pastrojë këto lista. Unë nuk shoh tjetër mundësi. Së paku jo, për momentin.