Tiranë, 18 nëntor, NOA – Pas vdekjes, mjeku i njohur infeksionist, Prof.Dr, Kristo Pano është dekoruar sot nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
Ky urdhër për mjekun e shquar iu kushtua devotshmërisë dhe profesionalizmit të spikatur, dhe përkushtimit të palodhur në përgatitjen e mjekëve të rinj.
Doktor Kristo Pano me kontributin e rëndësishëm në zhvillimin e shërbimit shëndetësor, u bë një ndër mjekët më të përgatitur e të njohur në vend.
Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Presidencë, ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, mjekë, pedagogë e studiues të fushës së mjekësisë, familjarë, miq e të afërm, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial, Presidenti Topi, duke shprehur vlerësimin dhe nderimin më të lartë të shtetit shqiptar për punën humane e të përkushtuar të mjekut të shquar, Prof. Dr. Kristo Pano, i dorëzoi të birit, Erion Panos, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në reformimin mbi baza moderne, shkencore të trajtimit të sëmundjeve infektive, veprimtarinë e gjerë klinike, me nivel të lartë profesional, në shërbim të jetës së njerëzve dhe si pedagog që përgatiti shumë breza mjekësh infeksionistë”.
Në emër të familjarëve dhe të afërmve të Prof. Dr. Kristo Pano, të pranishmit në këtë ceremoni i përshëndeti djali i tij, Erion Pano, i cili shprehu mirënjohjen më të thellë për vlerësimin dhe këtë nderim kaq të madh që iu bë babait të tij Kristo Pano, pas vdekjes.
mit/NOA