English

Prova e Ruzhdies

Ka kaluar një vit që ne kërkojmë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit jo për të provuar se çfarë është bërë më 28 Qershor pasi ajo u provua në Ruzhdie, votat u vodhën, por për të mos lejuar vjedhjen e qytetarëve, vjedhjen e votave në zgjedhjet e ardhshme dhe premtimet e pa mbajtura

Nga Asllan Dogjani

Deputet i PS

Disa orë më vonë pasi BE u hapi derën qytetarëve shqiptarë për të lëvizur pa viza në Europë, një meritë e qytetarëve dhe jo e qeveritarëve, i mbyll derën kësaj qeverie të dështuar, duke e akuzuar si fajtoren, përgjegjësen për mos marrjen e statusit si vend kandidat për në BE.

Ndërsa për herë të parë krimi i organizuar dhe korrupsioni i mbyllën derën e integrimit Shqipërisë, qeveria në vend që të reflektoj, e të marrë masa, ajo e shpërfilli raportin e KE, duke detyruar të gjithë administratën e vendit, si në kohën e diktaturës, për të marr pjesë në koncertin e organizuar nga qeveria nga ku sulmoi opozitën, pa menduar për koston dhe shpenzimet që do të rëndojnë mbi xhepat e taksapaguesve shqiptar.

Qeveria Berisha ka dështuar, nuk ka mundur të marr statusin si vend kandidat për shkak të problemeve të mëdha që rezulton të ketë me korrupsionin, krimin e organizuar, mosfunksionimin e parlamentit, gjyqësorit, si institucione të pavarura.

Korrupsioni i cili përsëritet në çdo raport të partnerëve tanë ndërkombëtar dhe që është një nga shumë arsyet që refuzuan statusin e vendit kandidat ka përfshirë të gjithë sektorët e nivelet e shoqërisë.

Kudo duhet të paguash që të punësohesh në arsim, në shëndetësi, për një vizitë në spital, për marrjen e një tenderi, për të zënë radhën për aplikimin për pasaportë, për regjistrimin e pronës, për kthimin e pronës, në dogana, tatime, për shpërblimin e ish-pronarëve etj.

Sali Berisha dështoi në luftën kundër korrupsionit, këtë tashmë nuk e thotë vetëm opozita, por dhe ndërkombëtarët kanë vënë theksin tek korrupsioni dhe krimi i organizuar si pengesa kryesore për integrimin e vendit në BE.

Sa herë që opozita ka denoncuar korrupsionin e kësaj qeverie në vend të reflektimit dhe vënien para përgjegjësisë fajtorët, keni akuzuar opozitën se edhe ju vidhni prandaj po vjedhim dhe ne. Po me ndërkombëtarët si do të justifikoheni apo edhe ata do ti akuzoni për korrupsion?

***

Ka kaluar një vit që ne kërkojmë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit jo për të provuar se çfarë është bërë më 28 Qershor pasi ajo u provua në Ruzhdie, votat u vodhën, por për të mos lejuar vjedhjen e qytetarëve, vjedhjen e votave në zgjedhjet e ardhshme dhe premtimet e pa mbajtura.

Ka 20 vjet që Partia Demokratike në çdo fushat elektorale mashtron se do ti kompensoj banorët e tokave të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës në Qarkun e Kukësit. Janë 1780 ha tokë e përmbytur në luginën e Drinit, që ka mbajtur jetën e dhjetra vendbanimeve dhe mijëra njerëzve pa patur nevojë për shtet, qeveri apo qeveritarë. Janë l8 fshatra të shpërngulur e të shpronësuar plotësisht, pa asnjë shpërblim për tokën, trojet e të gjitha pronat e tjera, si edhe 35 fshatra të tjerë të mbetur pa tokë, ose me fare pak sipërfaqe, pa asnjë mundësi jetese.

Sot, 4800 familje, me rreth 25000 banorë të prekur nga kjo vepër kanë mbetur emigrantë e refugjatë të mirëfilltë në vendin tonë. Nuk priten në zyra, i gënjejnë dhe i përçmojnë.

Kanë ndërruar tre herë vendbanimin, kanë mbetur me plaçka në shpinë, nuk kanë vend për zgjerimin e fëmijëve të tyre që janë rritur e martuar.

Megjithëse kjo vepër jep mbi 100 miliardë lekë prodhim në vit, ka 20 vjet që nuk gjenden rrugë dhe mundësi për t’i kompensuar këta banorë qoftë në natyrë apo vlerë, nuk gjenden mundësi që në shtetin e tyre të trajtohen si njerëz, duke mos krijuar akoma asnjë bazë dhe shpresë për familjet e fëmijët e tyre.

Nuk jepen fonde për strehim në qytetin e Kukësit për banorët e ardhur si rezultat i përmbytjes.

Mbi 70% e banorëve të zonës së përmbytur trajtohen vetëm me ndihmë ekonomike, pa tokë, pa aktivitet e mundësi biznesi në varfëri të plotë.

Banorët dhe fshatrat e prekur nga përmbytja janë kthyer në një Gërdec të heshtur që nuk i mbështet askush.

Në këto kushte banorët e kësaj zonë, të lodhur e të mërzitur, me të drejtë pyesin se çfarë do të bëhet me ne, familjet e fëmijët tanë, që nuk po shohin asnjë shpresë dhe asnjë rrugëdalje.

Për këto arsye këta banorë pyesin se cilët mafiozë, pushtetar qendror dhe lokal, miliarderë në këto vite, luajnë e tallen me fatin dhe mbijetesën e familjeve e të fëmijëve të tyre? Kush po i vjedh banorët e tokave të përmbytura, kur do të kompensohen ata edhe sa kohë qeveritarët tanë do të kompensojnë veten në vend të tyre.

Për të gjitha këto duhet të kishte shkuar dje Ministri i Brendshëm në Kukës, për gjetjen e autorëve të vrasjes së Remzi Veselit, për gjetjen e Bleona Matës dhe pastaj të shkonte për zgjidhjen e incidentit të Albana Vokshit me policinë e Kosovës.

Prandaj ne insistojmë në kërkesat tona dhe kemi paraqitur ofertën e re ku kërkojmë hetimin e materialeve zgjedhore, Berisha duhet ta pranoj ofertën e re dhe të fundit ti lëshoj kutitë, jo për të ndryshuar rezultatin por për të parandaluar vjedhjet në zgjedhjet e ardhshme, për të mos i mashtruar me sa herë që ka fushata elektorale banorët e tokave të përmbytura në Kukës, Has, Tropojë dhe për të mos ja mbyllur Shqipërisë derën e integrimit në BE.

KOMENTE