Tiranë, 18 nëntor, NOA – Partia Socialiste e Vërtetë ka përshëndetur sot me anë të një deklarate për shtyp nismën e dy ish-presidentëve Moisiu dhe Mejdani lidhur me ndryshimet kushtetuese.
“Përshëndesim ndryshimin e skemës aktuale kushtetuese. Ndryshimi i Kushtetutës është pjesë thelbësore e programit politik të PSV”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke shtuar se PSV do të shfrytëzojë çdo fuqi të saj për të nxitur pjesëmarrje masive popullore me rastin e referendumit të mundshëm për këtë çështje.
“Kjo nismë bëhet edhe më e domosdoshme për shkak se ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 përbëjnë shkakun kryesor të krizës së sotme politike në marrëdhëniet mes institucioneve themelore të shtetit. Kjo iniciativë është një shans i madh për opozitën për të korrigjuar gabimet e veta në marrëveshjen PS PD të 21 Prillit 2008”, thuhet në këtë deklaratë.
Në fund, PSV i bën thirrje LSI t’i bashkohet kësaj nisme meqë ajo ka qenë pjesë e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe për të dëshmuar se mbetet parimore për këtë çështje.
n.e/NOA