Bruksel, 18 Nëntor, NOA - Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim publikoi dje në Londër raportin vjetor për vendet në tranzicion, ku edhe këtë vit vlerëson se Shqipëria do të shënojë rritjen më të lartë në Europën juglindore me 3 për qind. Në BERZH mendojnë se rritja ka ardhur për shkak të disa faktorëve, si mosprekja e drejtpërdrejtë nga zhvillimet ekonomike globale, stabiliteti makroekonomik dhe politikat e kujdesshme financiare.
Në një intervistë që i dha BBC-së, ekonomisti përgjegjës për Europën juglindore në BERZH, Peter Sanfey, shpjegon se ndërsa bizneset e vogla janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, vendi ka mbetur pak prapa në zhvillimin e potencialit qe ka për eksport. Duke mos qenë vend anëtar, Kosova nuk përfshihet në raportin e BERZH-it, por eksperti i BERZH-it thotë se vendi ka shënuar disa përparime në fushën e zhvillimit dhe reformave.
Z. Sanfey, cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e ekonomisë së Shqipërisë?
Mendoj se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë rritje, nuk mund të veçojmë vetëm një prej tyre. Ma merr mendja se ia vlen të theksosh se ekonomia shqiptare është pak më e mbrojtur nga zhvillimet botërore, krahasuar me disa prej ekonomive të tjera në rajon.
Prandaj, mendoj se është prekur më pak nga kriza globale. Por ka edhe faktorë të brendshëm dhe unë do të theksoja faktin se qeveria dhe Banka Qendrore kanë krijuar një bazë mjaft të mirë gjatë viteve, përsa i përket stabilitetit makroekonomik, politikës se kujdesshme financiare dhe përmes një politike të suksesshme monetare. Kjo ka kontribuar në mbajtjen e inflacionit në nivel të ulët dhe ka ndikuar pozitivisht në besimin e bizneseve dhe investitorëve. Kjo përbën një pjesë të shpjegimit se përse ekonomia shqiptare ka arritur t'ia dalë kështu, në mnyrë thuajse unike në Europën jug-lindore apo edhe në atë qendrore, duke e shmangur, deri më tani, recesionin.
Ju thoni 'pak më e mbrojtur' nga zhvillimet botërore, por në raport BERZH-i e pranon se kriza ekonomike në Greqi ka një ndikim të madh në nivelin e fondeve që dërgojne emigrantët në Shqipëri (remitancat). Në kushtet kur ekonomia greke vazhdon të ketë probleme, në çfarë drejtimesh duhet ta kërkojë Shqipëria rritjen e qëndrueshme?
Po, ne parashikojmë njëfarë ngadalësimi për vitin e ardhshëm dhe kjo vjen pjesërisht për shkak të vështirësive që po përjeton Greqia. Sigurisht me Greqinë ka lidhje të ngushta tregtare dhe investimesh gjë që ka lidhje të rëndësishme me të ardhurat nga që sigurojnë shqiptarët që punojnë në Greqi. Gjendja në Greqi, pra, do të ketë një ndikim negativ.
Por Shqipëria ka përparuar shumë gjatë 10-15 vjetëve të fundit, në kuptimin e fazës së tranzicionit, në kuptimin e reformave, në kuptimin e ecjes drejt Bashkimit Europian. Unë mendoj se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian, duke vazhduar me reformat strukturore, përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian dhe hapjen e mëtejshme ndaj BE-së dhe tregjeve globale.
Sipas raportit të BERZH-it për vendet në tranzicion, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia përfitojnë nga kërkesa globale për metale të rëndësishme dhe projektet infrastrukturore (në rastin e Serbisë). Në çfarë mbështet vlerësimi për vazhdimin e rritjes së ekonomisë së Shqipërisë?
Shqipëria nuk bazohet në një industri të posaçme. Shumica e bizneseve janë të vogla, shumë prej tyre janë mikro-biznese.
Në Shqipëri kemi vënë re shpirtin e sipërmarrjes dhe bizneset e vogla janë shtylla kurrizore e ekonomisë. Shqipëria është pak prapa në zhvillimin e potencialit të vet të eksportit. Raporti i eksporteve në kuadër të DGP-së është më i ulët se mesatarja e rajonit. Kjo është një fushë, ku në një periudhë afatshkurtër Shqipëria duhet të shënojë përparim.
Në raportin e BERZH-it ka një kapitull të posaçëm për lidhjen mes eksporteve dhe mundësive në gjithë rajonin. Eksportet janë një burim i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe kjo është rruga që Shqipëria duhet të ndjekë.
Në raportin e BERZH-it vlerësohet se "politikat e brendshme populiste mund ta shtojnë pasigurinë e investitorëve". A ka BERZH-i indikacione se zbatohen politika të tilla në Europën juglindore e, veçmas, në Shqipëri, ta zëmë përmes rritjes së pensioneve, pagave të administratës etj.?
Jo, unë mendoj se Evropa Juglindore si rajon ka arritur ta përballojë krizën shumë mirë.
Sigurisht disa vende janë prekur rëndë, si Rumania që shënoi një rritje negative -7% vitin e kaluar, apo Bullgaria me -5%, por të inkurajon fakti që po shohim se reformat strukturore që janë ndërmarrë gjatë dy dekadave të fundit, që prej fillimit të tranzicionit në këtë rajon, në përgjithësi, nuk janë kompromentuar.
Dihet që politikanët në çdo vend gjenden nën presion kur të ardhurat bien, kur rritet numri i të papunëve dhe bashkë me këtë edhe varfëria.
Mendoj se politikë-bërësit në rajon, përfshirë edhe ata në Shqipëri, kanë vepruar me përgjegjësi dhe maturi përballë kësaj krize. Prandaj mendoj se ky rajon e ka përballuar mirë presionin për të ndërmarrë politika më populiste.
Cila është pamja e përgjithshme që ka EBRD për ecurinë ekonomike të Shqipërisë?
Unë do të thosha, dhe në fakt këtë e kam thënë për disa vite me radhë, se Shqipëria po ecën mirë duke patur parasysh startin shumë të vështirë që pati në fillim të tranzicionit në vitet 90' - 91'.
Të gjithë i dimë kushtet në të cilat ishte atëherë vendi si rezultat i sundimit të një forme ekstreme të komunizmit për më shumë se 45 vjet. Pra, Shqipëria u nis nga një start shumë më i vështirë në rrugën e tranzicionit në krahasim me fqinjët e saj.
Duke e patur këtë parasysh, mund të them se ky vend ka bërë përparime shumë të dukshme. Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë, por më duhet të them se ky është një vend që ka kaluar nga periudhat e mungesës së stabilitetit, siç ndodhi në fillim të viteve 90 dhe në vitin 97, në një stad kur gjatë dekadës së fundit ka qenë, si të them, një shembull stabiliteti në rajon dhe këtë e shohim edhe në treguesit ekonomikë.
Kosova nuk bën pjesë në raportin e vendeve në tranzicion që përfshihen në hartën rajonale të BERZH-it, pavarësisht se po lobohet që Kosova të bëhet pjesë e saj. Çfarë interesimi shpreh Banka në monitorimin, vlerësimin dhe mbështetjen e ekonomisë së shtetit më të ri të Europës?
Ne kemi investime në Kosovë dhe kemi zyrën tonë në Prishtinë. Jemi të angazhuar që të kemi marrëdhënie biznesi me Kosovën dhe t'i shtojmë ato. Ne bëjmë vlerësimin e situatës në Kosovë, duke mbledhur të dhëna për zhvillimin ekonomik.
Por, duhet ta kuptoni se për shkak se Kosova nuk është vend anëtar i BERZH-it në këtë moment, ne nuk mund të bëjmë dot vlerësime të ngjashme për të në raportet që bëjmë publike për vendet ku ne kemi aktivitetin tonë.
Sidoqoftë, ajo që mund të them, me terma të përgjithshme, është se edhe në Kosovë po shohim disa përparime përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe reformave.
BBC