English

Sakineh mund të fitojë lirinë

Iran, 18 nëntor NOA - Hetimi mbi Sakineh Mohammadi - Ashtiani, gruan iraniane të dënuar me ekzekutim, është ende i hapur. Sqarimi ka ardhur nga ana e Mahmud Ahmadinexhad.

“Jemi ende duke hetuar rastin. Iranianët janë hetues shumë të aftë dhe do të arrijnë në një përfundim të drejtë”, - tha presidenti iranian gjatë një vizite në Baku, në Azerbajxhan.

Me sa duket, tashmë, familja e burrit të Sakineh është shprehur e gatshme për ta falur gruan, e cila do të mund të fitojë lirinë: në bazë të ligjit të Iranit, në fakt, nëse fajtori i një krimi merr faljen atëherë mund të jetë sërish i lirë.

Lajmi është bërë i ditur nga ana e Ministrit të Jashtëm Franko Frattini: “Angazhimi ynë, të paktën i imi është tepër i qartë - tha ai - dhe kjo është për të shpëtuar jetën e Sakineh nëpërmjet veprimeve ndërkombëtare diplomatike që mund të bindin autoritetet iraniane për mëshirë”.

r.b/NOA

KOMENTE