Tiranë, 19 Tetor, NOA- Thënia “një grua shtatzënë duhet të hajë për dy” tashmë i përket së kaluarës dhe natyrisht një femër shtatzënë nuk duhet të dyfishojë porcionet e ushqimit.
Dieta duhet të jetë e shëndetshme dhe e ekuilibruar (rregull që vlen për të gjithë!) dhe duhet të lini hapësirë të mjaftueshme për qumështin, produktet e tij, frutat, perimet, proteinat e mishit dhe të peshkut. Kufizoni konsumimin e ëmbëlsirave, sallamrave, të skuqurave: të cilat ju shëndoshin pa ju afruar një sasi të mjaftueshme ushqyese. Këtu lind pyetja: sa kile duhet të merrni kur jeni shtatzënë? Është e pamundur për të krijuar një rregull absolut dhe te vlefshëm për të gjithë: çdo trup reagon në mënyra të ndryshme ndaj shtatzënisë dhe këshilla është që të mbështeteni te mjeku juaj, i cili do të japë përgjigjen më të përshtatshme për rastin tuaj. Ka, megjithatë, disa parametra të përgjithshme, që është e nevojshme ti dini për tu orientuar.
Në tre muajt e parë të shtatzënisë bilanci i kileve nuk rritet shumë, dhe në disa raste mund të shkojë edhe poshtë, për shkak se të përzierat pengojnë të ngrënit e rregullt. Në tremujorin e dytë shtimi në peshë bëhet më i dukshëm: kalohen problemet lidhur me trazirat e stomakut, rritet oreksi dhe lindin dëshirat e pazakonta dhe të papritura. Në këtë rast një kilogram akullore me çokollatë nuk është një dhuratë e mirë që i bëni fëmijës tuaj. Mundohuni të hani në mënyrë të rregullt duke thyer tre vaktet kryesore me 2 nënvakte te vogla.
Ideale është që në muajin e gjashtë një femër shtatzënë të ketë shtuar gjashtë kile, por një ose dy kile më shumë nuk duhet t’ju vënë në panik. Në qoftë se të fituarit në peshë është shumë më i madh, ose anasjelltas shumë më i ulët, konsultohuni me mjekun tuaj . Duke filluar nga tremujori i tretë, i fundit shtohet një kilë në muaj. Në fund të shtatzënisë pritet një rritje në peshë nga 9 deri në 12 kile, që pas lindjes, mund të eliminohen lehtë dhe pa sforcim.
Duhet marrë në konsideratë fakti, se fëmija mund të jetë 3-4 kile dhe pjesa tjetër: mitra (900 g), placenta (500g), vëllimi i gjakut (1,5 kg), rezervat e lipideve ( 2-3 kg), ujërat (2 kg) dhe vëllimi i gjirit (400 g). Por, kujdes: këto të dhëna nuk konsiderohen si absolute: bëhet fjalë për shifra që mund t’ju shërbejnë si një pikë referimi nga ku çdo grua shtatzënë mund të krahasohet me këto parametra, të cilat ndryshojnë në bazë të shumë faktorëve, duke përfshirë edhe përcaktimin e masës trupore.
Megjithatë, është thelbësore dieta e dhënë nga mjeku juaj, duke pasur parasysh se ajo qe hani ndikon në shijen e fëmijës tuaj të ardhshëm!
Sipas një studimi të kryer në “Monell Chemical Senses Center”, Filadelfia sasia dhe mënyra e të ushqyerit, emocionet, aktiviteti fizik ndikojnë në preferencat dhe shijet e fëmijës. “Ndaj nënat e ardhshme - thonë studiuesit- duhet të përpiqen të ofrojnë një shembull të mirë për fëmijët ende pa dalë në dritë. Nëse hani ëmbëlsirat dhe qëndroni larg sallatave dhe karotave, atëherë mos u ankoni kur fëmija juaj të mbajë gojën mbyllur përpara supës vegjetale: është e trashëguar nga ju!”
a.e./NOA