English

Thirrja që i bëjmë Sali Berishës

I bëjmë thirrje Sali Berishës, përgjegjësit të kësaj situate në Dukat, Orikum, por edhe në Hamallaj e në vende të tjera, të gjejë rrugën ligjore, të dialogut dhe jo të konfrontimit me popullin e tij dhe t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave, që po e mbajnë peng stabilitetin dhe zhvillimet normale të vendit

Nga Fatmir Toçi

Deputet i PS

Brenda një dite Shqipëria mori dy mandate nga institucionet europiane: një për popullin, i cili nga mesi i dhjetorit do të mund të lëvizë i lirë, dhe një “shuplakë” për qeverinë, të cilës iu refuzua kërkesa për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. E vetmja qeveri, të cilës i refuzohet ky status pas aplikimit me kokëfortësi e nxitim. Madje këtë status këtë herë e fituan edhe shtetet tanë fqinje, të cilat nuk janë akoma as anëtarë të NATO-s, siç vendi ynë.

Tanimë është e qartë nga të gjithë se krimi dhe korrupsioni i mbyllën derën Shqipërisë. Një përgjigje e qartë, e hapur, pa asnjë diplomaci për një qeveri të dështuar dhe një kryeministër të dështuar, që e ka futur vendin në kaos, në krizë politike, institucionale dhe ekonomike:

- Në Raport ka kritika të forta ndaj institucioneve të shtetit dhe mospërmbushje të standardeve nga ana e tyre;

- kritika për ligje që nuk zbatohen, për Kuvendin e transformuar në një organ të keqpërdorur, nën drejtimin e një spikere që dhunon opozitën dhe nuk zbaton rregulloren, por tejet e ekzaltuar sa herë e merr fjalën shefi i saj;

- kritika për korrupsionin e lartë që ka prekur ndjeshëm disa fusha nevralgjike të vendit si gjyqësori, ekonomia, shëndetësia, të drejtat e pronës, prokurimet publike etj;

- kritika për mungesën totale të hetimeve, edhe kur u nxjerr të palarat një ministër i kabinetit, si dhe dënimet qesharake kur janë të detyruar për të hedhur hi syve opinionit, etj.

Siç është theksuar edhe në raporte të tjera të institucioneve ndërkombëtare, në Shqipëri është instaluar prej kohësh kultura e pandjeshmërisë ndaj problemeve që ngre opozita, ndaj fjalës së specialistëve dhe ankesave të popullit, dhe si rrjedhojë edhe kultura e mosndëshkimit ndaj shkelësve të ligjit.

Të gjitha këto opozita dhe shqiptarët po i thonë që prej një viti e gjysmë, ndërsa Berisha, në vend që të reflektojë për shqetësimet që ngre BE-ja, po bën të gjitha përpjekjet për të ndërhyrë për ndryshimin e raportit, tek miqtë e tij të vjetër europianë.

Por dje, po nga Komisioni Evropian iu bë e qartë Berishës se nuk ka vend për ndryshimin e raportit, por për të ndryshuar qëndrimet mbi bazën e detyrave që vihen. Korrupsioni galopant dhe zgjidhja e problemeve të pronës, për të cilat shprehet Raporti, janë theksuar edhe më parë në Rezolutën e Parlamentit Europian.

Rasti më tipik është trajtimi i banorëve të Orikumit dhe Dukatit, në rrethin e Vlorës, të cilët prej vitesh kërkojnë zgjidhjen e problemit me rrugë ligjore dhe, për shkak të synimeve grabitqare të këtij pushteti, janë ngritur në protesta të ligjshme. Por pushteti, duke përdorur edhe policinë e shtetit deri në denatyrim dhe përdhosje të statusit dhe figurës së saj, jo vetëm nuk u jep përgjigje mbi 80 dosjeve me dokumente pronësie të paraqitura, si dhe shumë çështjeve të hapura në gjykatat e shkallëve të ndryshme, por ushtron dhunë ndaj banorëve të pambrojtur, duke i provokuar dhe akuzuar si irredentistë dhe talebanë.

Pra, për të mbrojtur interesat e një klani me synime grabitqare në bregdetin e Jugut të Shqipërisë, shteti dhe pushteti i sotëm, jo vetëm mashtron e të vjedh në mes të ditës, por edhe të akuzon për veprime që nuk i ke bërë, të rreh e të masakron, duke u vënë në rrezik edhe jetën, siç po ndodh me fatin e shtetasve Jorgo Kazheli e Albert Hibroj, që vetëm dje kanë mundur të dalin nga spitali i Vlorës, me fraktura në kokë e në trup.

I bëjmë thirrje Sali Berishës, përgjegjësit të kësaj situate në Dukat, Orikum, por edhe në Hamallaj e në vende të tjera, të gjejë rrugën ligjore, të dialogut dhe jo të konfrontimit me popullin e tij dhe t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave, që po e mbajnë peng stabilitetin dhe zhvillimet normale të vendit.

Dhe t’u kërkojë falje banorëve në Bashkinë e Orikumit që nuk e ka mbajtur premtimin paraelektoral për zgjidhjen e këtij problemi, por që e harroi sapo u sigurua që me vjedhjen e votës që u bëri shqiptarëve mund ta vazhdonte mbretërimin e tij.

Partia Socialiste është e vetmja shpresë e shqiptarëve, forca reale demokratike në vend, e cila do t’i zgjidhë përfundimisht këto probleme dhe do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë.

Ndaj, me ndjenjën e përgjegjësisë për fatin e integrimit të vendit, ne vendosëm të hedhim një hap tjetër përpara drejt zgjidhjes së krizës, që nuk është tërheqje nga kauza jonë, por përpjekje për të ç’bllokuar krizën, për të realizuar reformën zgjedhore, rrugë e cila duhet të kalojë nëpërmjet hetimit parlamentar.

KOMENTE