Tiranë, 19 nëntor, NOA – Duke e cilësuar buxhetin e vitit 2010 si një volum tërësor të investimeve më transformuese në Policinë e Shtetit, ministri Basha sot në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, përmendi vënien në funksionalitet të plotë të sistemit TIMS, krijimin e Qendrës Operacionale të Policisë Kufitare, krijimin e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, si dhe investimin për qendrën e inteligjencës kriminale MEMEX e cila së shpejti kalon në sistemin Patriark, ende pa u vënë në zbatim nga vetë hartuesit e programit në vendet e BE.
“Kemi të gjitha arsyet ta shikojmë buxhetin 2010 dhe ekzekutimin e tij, i cili ka edhe dy muaj për të përfunduar, një buxhet historikisht të suksesshëm në raport me objektivat që ka patur ky dikaster në 18 vite të funksionimit të demokracisë në Shqipëri”, tha Basha.
Sipas tij, realizimi i 100% i buxhetit është tregues i efektivitetit të strukturave të ministrisë së Brendshme dhe i përqasjes me objektivat e vitit 2010.
“As nuk mund të imagjinohej se këto objektiva dhe ai më parësori, liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të mund të arrihej pa një realizim efektiv të buxhetit. Vendimi i BE për heqjen e vizave u mor në bazë të një vullneti politik, por merita është tërësisht e Shqipërisë, e institucioneve shqiptare, e qeverisë shqiptare, e taksapaguesve shqiptarë. E themi se merita është e jona se kjo është e lidhur drejtpërdrejt me mënyrën se si e shohim buxhetin, sepse ishte ky buxhet që na bëri të meritojmë vendimin. Ishin këto realizime që bënë të mundur vlerësimin pozitiv në mënyrë objektive dhe strikte nga ekspertët e BE-së të kritereve që ne plotësuam”, - theksoi ministri Basha.
n.e/NOA