Tiranë, 19 nëntor, NOA – Ndërkohë që inspektorati i policisë së Kosovës ka nisur hetimin ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi për shkelje të rregullave të kalimit të kufirit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, po zhvillon një vizitë zyrtare pune në Kosovë me ftesë të homologut të tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe delegacioni i Policisë Shqiptare i kryesuar prej tij, dje u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.
Në qendër të këtij takimi, ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet strukturave të Policisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, me qëllim goditjen e të gjitha formave të krimit dhe në veçanti luftën kundër krimit të organizuar.
Burgaj dhe Maliqi gjatë bisedës bënë një ekspoze të reformave strukturore dhe metodologjisë së re të punës të vënë në zbatim në policitë respektive, si dhe të arritjeve të shërbimeve policore në luftën kundër krimit.
Drejtuesit e lartë policorë në mënyrë të veçantë vlerësuan trajnimet e përbashkëta policore ndërmjet Policisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, si dhe bashkëpunimin e angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar e krimit ndërkufitar.
Në kuadër të axhendës së vizitës së tij në Kosovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, sot mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të Kursit të Parë Ndërkombëtar për Personelin dhe Komandën Policore, organizuar nga Qendra Universitare Northëestern për Sigurinë Publike, mbështetur nga Programi ICITAP, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Gjatë kësaj ceremonie të zhvilluar në Qendrën Kosovare për Siguri, Edukim dhe Zhvillim-Vushtrri, krahas zyrtarëve të policisë së Kosovës u diplomuan edhe Zyrtarë të Policisë Shqiptare, të cilët gjatë këtij kursi patën mundësi të thellojnë njohuritë e tyre në drejtim të menaxhimit të projekteve, përgatitjes së buxhetit, menaxhimit të trafikut, shpërndarjes së resurseve, si dhe komunikimit brenda organizatës. Krahas delegacionit të Policisë Shqiptare, në këtë takim mori pjesë dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
mit/NOA