English

Gruevski nuk shkon në Lisbonë, Maqedonia humb edhe një shans

Shkup, 19 Nëntor, NOA - Në Lisbonë filloi sot Samiti i NATO-s ku po marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare dhe vendeve aspiruese.

Maqedonia edhe pas shumë pritjeve edhe në këtë Samit nuk do të marrë ftesën për anëtarësim, për shkak të moszgjidhjes së deritanishme të kontestit të emrit.

Në agjendën e këtij takimi të nivelit të lartë, pritet që të përmendet në pika të përgjithshme çështja e zgjerimit të NATO-s drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të konceptit të ri strategjik të Aleancës, që është pika e dytë e diskutimit në këtë Samit.

Delegacioni i Maqedonisë ka udhëtuar pa kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa ai udhëhiqet nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov dhe ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, Antonio Milloshoski dhe Zoran Konjanovski.

Shqipëria, Kroacia dhe vendet tjera anëtare të rajonit po përfaqësohen drejtpërdrejt nga shefat e Qeverive. Shqipëria si një nga anëtaret e reja të Aleancës në këtë samit do të jetë e përfaqësuar nga kryeministri Sali Berisha, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko si dhe zyrtarë të lartë ushtarak.

Të shtunën paradite, në vijim të axhendës së samitit, presidenti Ivanov do të marrë pjesë në seancën e diskutimeve mbi Afganistanin, ku do të diskutohet për angazhimin e aleatëve të NATO-s për sigurimin e resurseve plotësuese për nevojat e misionit ISAF të NATO-s në Afganistan.

Në takimin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s do të miratohet edhe Koncepti i ri strategjik për reformat e brendshme dhe mbrojtjen raketore të NATO-s. Në kuadër të samitit në rend dite do të jenë edhe raporti i marrëdhënieve NATO – Rusi. Maqedonia për të dytën herë po humb shansin për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, pas Samitit të Bukureshtit të vitit 2008, kur Greqia bllokoi anëtarësimin, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit.

NOA-INA

KOMENTE