English

Kurti me studentët: Organizimi në strukturë krijon fuqi

Prishtinë, 19 nëntor, NOA – Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti mbajti sot një takim joformal me studentët të universitetit të Prishtinës, të angazhuar në qendrën Studim-Kritikë-Veprim.

Takimin e hapi Rron Gjinovci, i cili tregoi në përgjithësi për problemet me të cilat përballen studentët sot, qoftë në procesin mësimor, apo kujdesin ndaj tyre.

Më pas fjalën e mori Albin Kurti, i cili i përgëzoi studentët për anëtarësimin në këtë qendër, duke theksuar se vetëm organizimi në strukturë krijon fuqi.

Ai më tej, shpjegoi se si përveç kësaj qendre, Lëvizja Vetëvendosje! ka krijuar edhe 24 Këshilla të Qendrave, për ta strukturuar tërë përkrahjen që e ka, anembanë Kosovës. “Studentët kanë qenë pararoja e qëllimeve kombëtare gjithmonë”, vazhdoi Kurti, duke ua përkujtuar se si çdo ngritje kombëtare është karakterizuar me ngritje në mesin e studentëve, si në vitin ‘68 e ‘81, po ashtu edhe në ‘97 dhe ‘99.

Sipas tij, programi politik i Lëvizjes Vetëvendosje! bazohet në tri shtylla kryesore, e ato janë: sovraniteti, zhvillimi ekonomik dhe demokracia.

“Universiteti ka rol të madh në emancipimin e një shoqërie dhe krijimin e kuadrove për këto tri shtylla. Ne angazhohemi që arsimi publik të jetë pa pagesë, sepse ne e konsiderojmë arsimin si e drejtë themelore e njeriut, ndërkaq ai privat mund të jetë komplementar”, tha në fund Albin Kurti.

n.e/NOA

KOMENTE