Tiranë, 19 nëntor, NOA – Pas akuzave të djeshme të deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili akuzoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli se ka skaduar afati kushtetues për zhvillimin e interpelancës me kërkuar prej tij me kryeministrin Sali Berisha, sot ka reaguar drejtoria e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë përmes një deklarate për shtyp, e cila theksoi se deputeti Braçe gënjeu publikisht dje.
Lidhur me këtë çështje, kjo drejtori sqaron se "Zoti Braçe ka depozituar kërkesën për interpelancë pranë zyrës së Protokollit të Kuvendit të Shqipërisë, në datën 01.11. 2010".
Sipas kësaj drejtorie, në bazë të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 96, pika 3 citohet “Interpelancat, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore parashikohet ndryshe, paraqiten në Kuvend, çdo të martë deri në orën 14.00. Ato parashikohen të zhvillohen në seancën plenare, si rregull, tri të hënat pasardhëse, nga data e paraqitjes”, bën të ditur drejtoria e seancave plenare.
Në këtë rast, shpjegon kjo drejtori, rezulton qartë se afati kushtetues për mbajtjen e interpelacës përfundon në datën 22 Nëntor, fakt që përgënjeshtron me forcë deklaratat abuzive, të qëllimshme dhe të përsëritura të këtij deputeti.
mit/NOA