Prizren, 19 nëntor, NOA – Operacioni policor i koduar “Marashi” i policisë së Kosovës ka prangosur tetë të dyshuar për trafikim qeniesh njerëzore si dhe ka dhe identifikuar katër viktima të këtij trafiku, tri femra shqiptare nga Kosova, dy të moshës 15-vjeçare e një 16-vjeçare si dhe një 20-vjeçare boshnjake kosovare.
Policia e Kosovës përmes një deklarate bëri të ditur se dje u finalizua me sukses pas hetimesh disamujore ky operacion i nisur nga Drejtoria e Hetimit të Trafikimit të Qenieve Njerëzore në kuadër të zbatimit të Strategjisë Nacionale për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Personat e arrestuar janë:
Servete K. 1975 femër shtetase e Republikës së Kosovës
Izet Th. 1966 mashkull shtetas i Republikës së Kosovës
Agim K. 1971 mashkull shtetas i Republikës së Kosovës
Haki H. 1954 mashkull shtetas i Republikës së Shqipërisë
Behar D. 1981 mashkull shtetas i Republikës së Kosovës
Naser K. 1989 mashkull shtetas i Republikës së Kosovës
Admir B. 1990 mashkull shtetas i Republikës së Kosovës
J. C. 1989 femër shtetase e Shqipërisë
Operacioni “Marashi” i realizuar në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë rajonale të Prizrenit dhe Ferizajt, është mbështetur nga hetuesit policorë të njësive anti-drogë dhe të njësive patrulluese policore të Prizrenit, Rahovecit.
Mbi 30 pjesëtarë policorë që ishin përgjegjës për realizimin e “Marashit” kanë kontrolluar tri shtëpi së bashku me objekte të tjera në Prizren, një kënd të lojërave në Shtime dhe një shtëpi në fshatin Senovc të Rahovecit.
Gjatë kontrollit të ushtruar policia ka konfiskuar një revolver të tipit ERMA-WERKE (model EGP 55 kal. 8mm); rreth 3 gr substancë e dyshuar narkotike (pluhur i bardhë); 1.35 gr substancë narkotike e llojit marihuanë; 3 thika ushtarake.
Me urdhër të prokurorit publik të Qarkut në Prizren shtatë personave të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa e dyshuara J. C. nga Shqipëria është liruar në procedurë të rregullt.
mit/NOA